Muaji i katërt

Muaji i katërt

Gjatë muajit të katërt, foshnja juaj futet në fazën interaktive (ndërvepruese) dhe ndërveprimin e bën me të gjithë trupin!

Ai/ajo imiton lëvizjet e gojës kur ju flisni e në veçanti nëse e ekzagjeroni gojën tuaj. Jo vetëm që bebja ju përgjigjet juve, por ajo tenton të fillojë një bisedë! Dhe në këtë moshë foshnjës i pëlqen ta argëtojë veten duke kërcyer qoftë në prehrin tuaj, ose në ulëse speciale!

Zhvillmi social/emocional

Kur sheh fytyra të familjarizuara, foshnja hedh krahët në ajër për t’i përshëndetur. Mbase sjelljet e tij/saj nuk janë shumë të qëlluara ende, derisa ju kap juve për fytyre, syza, goje dhe flokë. Bebja nuk dëshiron të jetë i ashpër ose t’ju lëndojë; vetëm se ju jeni shumë fascionues për të! A e keni vërejtur se si e kthen kokën kur ju i flisni dhe shikon lëvizjet e gojës tuaj. Derisa ju vendosni gjëra në gojë, bebja ju imiton. Foshnja mund të jetë i/e interesuar në ushqimin tuaj, por ende nuk është gati të fillojë të hajë gjëra të ngurta.

Për vogëlushin/en tuaj katërmuajshe bota është një lojë e madhe. Atij/asaj i pëlqen të luajë “ku ku – da”, të zhvillojë bisedë me zë, të këndojë këngë, të vallëzojë, të luajë me nënën, të luajë me babanë...

Zhvillimi gjuhësor

Përveç që kënaqet me zërin e vet, foshnja gugat edhe për të fituar vëmendje. Ka disa tinguj të ri që ai/ajo nxjerr – për shembull duke shtuar bashkëtingëllore në repertorin e vet (ba-ba-ba). Derisa është përpjekur për javë të tëra të imitojë zëra, tash foshnja po kopjon lakesat dhe gjestet tuaja. E keni vërejtur se ai/ajo nxjerr tinguj të ndryshëm për nevoja të ndryshme?

Kur gugatja i bëhet monotone, foshnja fillon të eksperimentojë me volumin e zërit. Kanë kaluar ditët e të porsalindurit të urtë. Mirëserdhët në botën e bërtimave dhe klithmave! Këto klithma të papritura mund t’ju trembin juve dhe madje foshnja mund ta trembë edhe veten.

Zhvillimi konjitiv

Foshnja juaj ka mësuar se cilat zëra dhe gjeste fitojnë reagimin tuaj. Të dy ju prindërit e edhe bebja tash jeni më të lumtur që ai/ajo është në gjendje t’i komunikojë shumicën e dëshirave të veta.

Ai/ajo është i vetëdijshëm për ngjyrat tash. Kjo sigurisht se e njofton atë me një botë të re. Ngjyrat favorite të kësaj moshe janë ngjyrat e çela natyrale – veçanërisht e kuqja dhe e kaltra. Pasi foshnja tash ka një perceptim më të thellë, mund të ketë frikë nga lartësitë.

Aftësitë e mëdha motorike

Foshnja është e aftë të qëndrojë ulur në dysheme me një jastëk prapa për t’u mbështetur ose në një karrige të lartë. Tash ai/ajo mund të punojë më mirë për t’i koordinuar duart e veta!

Ato lëvizje dhe goditje me këmbë që ka bërë muajt e fundit, tash po e shpaguajnë veten! Foshnja tash mund të jetë në gjendje ta mbartë shumicën e peshës. Të kërcejë në prehrin tuaj ose në pajisje të veçantë kërcimi, është aktiviteti i tij/saj preferuar në këtë moshë.

Nga arritjet tjera që mund t’i shihni këtë muaj, foshnja mund të bëjë “pompa” (ngritje-ulje me duar) dhe mund në fakt ta ngrejë edhe një pjesë të barkut nga dyshemeja ku është shtrirë. Foshnja mund të bëjë ca dhjetëra centimetra lëvizje përpara – inkurajojeni lëvizjen duke vendosur disa lodra pak më larg se sa ai/ajo mund t’i arrijë, po jo shumë sa të jetë shqetësuese për beben. Rrotullimi nga barku në shpinë është një arritje për shumë foshnja aktive në këtë moshë. Nëse vogëlushi/shja juaj është i/e qetë, ju mund ta ndihmoni duke e shtrirë atë mbi një shtrojë dhe duke e ngritur njërën anë të saj derisa foshnja të rrotullohet. Duartrokitjet/brohoritjet, përqafimet dhe puthjet e bëjnë këtë lojë të kthimit nga barku në shpinë edhe më ngazëlluese.

Aftësitë e vogla motorike

Foshnja mund t’i kapë gjërat me një dorë dhe qëllimet e tij/saj po përmirësohen. Mbani pijet e nxehta dhe gjërat që thyhen aq larg sa foshnja të mos i arrijë! Ai/ajo është në gjendje t’i kalojë lodrat nga njëra dorë në tjetrën dhe mund të luajë me kuba (kuti/blloqe).

Goja vazhdon të jetë mjeti kryesor për të eksploruar. Foshnja tash fillon të krahasojë atë çfarë ndjen me atë çfarë sheh. Ndonjëherë ju mund të vëreni se si ai/ajo e nxjerr jashtë biberonin, e mban dhe e vështron me sy, pasta fillon ta thithë sërish. “Ah... kështu duket kjo gjëja që mbaj në gojë”.

Përfundim

Tash foshnja juaj mund të gjykojë më me saktësi distancën në mes të syrit të tij dhe një objekti. Ai/ajo mund t’i arrijë dhe kapë lodrat me precizitet. Ai/ajo ka nevojë që ju t’i jepni mundësi që t’i praktikojë këto atësi në mënyrë të sigurt, dhe t’i ndihmoni të qetësohet kur është lodhur. Përqafimet dhe ledhatimet ende vazhdojnë të jenë të parat në listën e tij/saj të nevojave.

Caffetin

Regjistrohu
për buletin