Muaji i njëmbëdhjetë

Muaji i njëmbëdhjetë

Foshnja juaj gjatë këtij muaji duket sikur është i/e interesuar në gjithçka! Lëvizshmëria e shtuar e bën eksplorimin më të lehtë për të.

Meqë bebja tash fillon të njohë fotografitë në libra, kjo e bën të lexuarit tuaj për të shumë më interesant. Memoria më e mirë i bën edhe lojërat më argëtuese, veçanërisht lojërat e të bërit me shenjë. Atij/asaj i pëlqen të tregojë aftësitë e veta, gjë që ua lehtëson juve ta mësoni atë (për shembull të hajë, të pijë nga gota...)

Zhvillimi emocional/social

Shenjë dalluese për 11-muajshët është se ata tash fillojnë të bëhen më të pavarur dhe madje fillojnë të thonë “jo” (sigurisht ende jo me fjalë). Ata kalojnë shumë kohë duke e lëkundur kokë në shenjën “jo”, edhe kur në të vërtetë mendojnë “po”! Edhe kur ju i ofroni ndonjë gjë të shijshme, foshnja juaj do ta shkundë kokën, por do ta hapë gojën duke u drejtuar kah ajo që ju i ofroni.

Kjo gjë mund të jetë frustruese në një moment, më pas argëtuese, por përfundimisht është një shenjë se ai/ajo po zhvillohet në kahe të duhur. Edhe pse e di se nuk duhet të bëjë ashtu, foshnja juaj ndjehet më i/e sigurt që ndonjëherë është në gjendje të rrezikojë qortimin. Për të joshur vëmendjen tuaj, foshnja mund t’i bëjë këto gjëra:

- Prek sustën e televizorit
- Hedh ushqimin në dysheme
- Luan me telefon
- Kafshon derisa pi gji
- Shkul flokët tuaja, ose qime në ndonjë gëzof.

Foshnja juaj duket se po teston limitet e veta, dhe mbase edhe tuajat, në mënyra të ndryshme! Por, cili duhet të jetë reagimi juaj? Bëni ndonjë gjest ose qortoje me zë të butë, kur nuk vepron si duhet. Merreni me të mirë dhe mësojeni ta bëjë gjënë e duhur. Mos bërtitni ose të reagoni së tepërmi. Në vend të saj, përpiquni të parashikoni sjelljet e foshnjës tuaj. A është i mërzitur pas reagimit tuaj? Ka nevojë ta ngushëlloni? Jepni një vëmendje pozitive dhe ai/ajo do të jetë më pak e prirë të qajë me veprimin e papranueshëm nga ju.

Ai/ajo është jashtëzakonisht miqësor me njerëzit që njeh, duke u ofruar përqafime, puthje me pështymë si dhe lodrat e tij/saj më të dashura. Ai/ajo është i/e ngazëllyer të tregojë aftësitë e tij/saj para njerëzve të tjerë.

Zhvillmi gjuhësor

Foshnja juaj shpesh komunikon me gjeste dhe fjalë (tinguj të ndryshëm) në vend të qarjeve. Edhe pse fjalët e vërteta mund të jenë ende të pakuptueshme, foshnja juaj tashmë dërdëllis duke nxjerrë tone zëri sikur bisedon me ju. Ai/ajo mund të nxjerrë fjalën e tij të parë këtë muaj, por shpesh një fjalë nënkupton një koncept të tërë. Për beben mund të jetë frusturese të tregojë nevojat e tij, ndërsa për ju ta kuptoni atë. Nëse ju i këndoni bebes tuaj, ai/ajo ka aftësinë t’ju befasojë duke kënduar pas jush.

Bebja juaj pëlqen librat dhe fotografitë që ju i emëroni. Bebja me kënaqësi mund ta bëjë zërin duke lehur kur sheh qenin, ose duke mjaullitur kur sheh macen.

Duke e marrë beben tuaj në shitore, është një tjetër mundësi për t’ia mësuar emrat e gjërave. Bëni me gisht kah gjërat në shportën tuaj ose në rafte dhe përmendni emrat e tyre. Shihni nëse bebja juaj do të nxjerrë ndonjë zë si reagim.

Zhvillimi njohës

Foshnja juaj tash është edhe më e mirë në ndjekjen e udhëzimeve të thjeshta. Ai/ajo mund të kuptojë deri në 25 për qind të foljeve dhe emrave që ju përdorni. Për të dekoduar kërkesën tuaj, përveç fjalëve foshnja do të bazohet në gjuhën trupore, gjestet tuaja dhe tonin e zërit tuaj.

Një prej gjërave më ngazëlluese këtë muaj është se si bebja juaj krijon dhe i përdor gjërat! Ai/ajo mund ta shtyjë një karrige përpara tij/saj për të ruajtur ekuilibrin ose në drejtim të tavolinës për të arritur pjatën me pemë. Foshnja po ashtu mund ta përdorë një lodër për ta tërhequr një tjetër në drejtim të tij/saj.

Edhe pse ju i ofroni një varg lodrash, bebja tenton të luajë me lodra specifike, që varen nga gjinia. Vajzat kanë prirje të luajnë me kukulla dhe aktivitete në pozitë ulur, ndërsa djemtë e kësaj moshe tentojnë të luajnë me vetura, kamionë dhe lodrat tjera më “aksion”.

Aftësitë e mëdha motorike

Foshnja juaj pëlqen të lëvizë! Asaj/atij i pëlqejnë lojërat me lëvizje, si për shembull të luani “aeroplanin”, si dhe lojërat e kërcimit, si për shembull vrapimi i kalit (duke kërcyer). Lodrat favorite mund të jenë lodrat të cilat ata vetë i lëvizin me shtyrje ose në të cilat hipet (karroca të vogla që shtyhen ose ku mund të ulesh për shëtitje).

Vogëlushi juaj ka filluar të lëvizë dalëngadalë. Ai/ajo kapet nëpër mobilje, qëndron vetëm për disa sekonda dhe mund të bëjë disa hapa provues, të gjitha vetëm dhe pa ndihmën tuaj.

Foshnja juaj do të jetë në gjendje të kalojë nga pozita në këmbë në pozitë të ulët.

Aftësitë e vogla motorike

Vogëlushi/ja juaj eksploron objektet para se t’i kapë. Kjo sigurisht e përmirëson shkatërrimin e lodrave!

Në mesin e shenjave tjera se duart e tij/saj po zhvillohen janë:

- E ushqen veten më me mjeshtëri;
- Mund të nxjerrë gjëra edhe nga qoshe të ngushta;
- Mund të vendosë gjëra në vrima të vogla;
- Mund t’i kapë copëzat dhe grimcat e vogla me shpejtësi;
- Mund të ndërtojë vetë një ndërtesë me dy ose tre blloqe dhe pastaj ta rrëzojë. Megjithatë, atij/asaj i pëlqen më shumë që ju ta ndërtoni dhe ai/ajo ta prishë!
- Koordinatat e foshnjës tuaj janë përmirësuar dhe ai/ajo tash mund të luajë edhe me lodra të cilat kërkojnë të vendosë format e duhura në vrima të duhura (katrorët te vrima katrorë, rrathët te vrima rrethore, etj).

Përmbledhje

Deri tash ju sigurisht e keni zbuluar temperamentin e foshnjës tuaj. Edhe pse ka terme të ndryshme nënat shpesh përdorin fjalë më popullore si “i/e ngadalshëm” (në vend të i/e matur ose turpshme), “i/e adaptueshëm” (në vend të i/e avashtë dhe i/e relaksuar) dhe “grindavec/e” (në vend të i/e gjallë dhe me karakter të fortë) për të përshkruar të vegjlit e tyre.

Punoni me foshnjën dhe respektojeni personalitetin e tij/saj unik. Lejoni atë të udhëheqë; dhe pastaj përkraheni zhvillimin, vetëbesimin dhe aftësitë e tij/saj.

 

Këshilla për bebe

Caffetin

Regjistrohu
për buletin