Foshnja juaj dhjetëmuajshe

Foshnja juaj dhjetëmuajshe

Vogëlushi/ja juaj duket sikur po ec me shpejtësi të madhe drejt ditëlindjes së parë! Aftësi të reja, fjalë të reja, dhe lëvizje të reja drejt pavarësisë, të gjitha këto do t’ju rëndojnë këtë muaj.

Ngacmimi dhe zbulimet shkojnë së bashku te bebet. A ndodh që foshnja juaj shkon kah kova e plehrave derisa pret reagimin tuaj? Në momente të caktuara ju mund të mendoni se ai/ajo përpiqet të gjejë mënyra për t’ju ngacmuar juve!

Zhvillimi social/emocional

Zhurmat dhe situatat të cilat ishin në rregull muajin e kaluar, mund ta frikësojnë këtë muaj. Sirena, thithësja elektrike ose vetëtima mund të jenë të frikshme. Bëjeni beben tuaj të ndjehet e sigurt duke i ofruar një përqafim dhe duke ia shpjeguar zhurmën. “Gee, kjo është zhurma e sirenës! Ambulanca shpejton për t’i ndihmuar një personi të sëmurë. Zhurma e sirenës u kërkon veturave të largohen nga rruga”.

Foshnja zemërohet dhe e shpreh këtë – ndonjëherë rënkon; ndonjëherë ka vetëm zemërime çasti. Detyra juaj është t’i ndihmojë ta marrë kontrollin. Ja disa shkaktarë të zemërimit të çastit dhe disa zgjidhje:

- Është i uritur? Jepni ndonjë ushqim të shpejtë për të ngrënë.
- Nëse është i zemëruar që nuk mund ta bëjë një gjë? Mësojeni si. Nëse ai mbetet në krevat pa mundësi për të zbritur, tregoi se si mund të zbresë për së prapmi.
- A shkakton zemërim një situatë e caktuar? Çfarë mund të ndryshoni? Nëse lojërat enigmatike janë tepër të vështira, shtyjeni për më vonë.
- Ai/ajo nuk mund ta ketë diçka? Përdorni një fjalor të butë dhe tërhiqjani vëmendjen diku tjetër. “Oh, vogëlush/e, e di që çaji i tezes Linda është i mirë dhe është qejf të luash me të. Por nuk bën. A dëshiron ta shikojmë çfarë ka në këtë libër?”.

Zhvillimi gjuhësor

“Mama” dhe “Baba” duket sikur po bëhen më qartë të lidhura me pronarët e vërtetë të këtyre emrave. Bebja tash thotë më lehtë “da-da” ose “ba-ba”, por mund të shkojnë edhe disa muaj para se ai tingulli “m” të dalë i plotë.

Bebja tash do të bëjë përshëndet “pa pa”, dhe ndoshta do ta thotë edhe me zë kur dikush largohet.

Ai/ajo mund të thotë jo ose ta shkundë kokën e tij/saj. Kur është e patjetërsueshme për ju ta dekurajoni nga veprimet e rrezikshme, në vend të “jo”, përpiquni në vend të saj të përdorni fjalët si “xix, djeg”, “e nxehtë”, “e keqe”, dhe “stop”.

Zhvillimi njohës

Foshnja do ta kërkojë nëse ju fshini diçka. Inkurajoni beben tuaj të bëjë lojëra të zakonshme familjare, si “Ku është telefoni?”. Vendoseni celularin tuaj nën krevat. Derisa ai ju shikon, mbulojeni me një pelenë dhe kërkoni nga bebja, “Buna, ku është telefoni?”. Nëse ai/ajo nuk e gjen, nxirreni pak dhe mbulojeni sërish, dhe bëjani të njëjtën pyetje. Kur ta gjejë duartrokitni dhe bërtitni “Eeee, bravooo! Arti e gjeti telefonin”! Shumë shpejt ai/ajo do ta fshehë atë nën pelenë që ju të mund ta gjeni dhe do t’ju duartrokasë dhe brohorasë kur ju ta gjeni.

Bebja e di se cilat lodra i takojnë atij/asaj, dhe ka disa favorite. Nëse një lodër nuk është në hapësirën ku shikon, bebja e di se ajo nuk është zhdukur përgjithmonë.

Njohuritë e tij/saj për veten janë zgjeruar, sa ai/ajo e di nëse është djalë ose vajzë.

Aftësitë e mëdha motorike

Lëvizje të reja – kjo është e vetmja mënyrë për t’i përshkruar veprimet e një bebe dhjetëmuajshe. Ai/ajo mund të ngjitet lart, të zbresë poshtë, të kthehet andej-këndej, të rrotullohet, të shkojë përpara dhe prapa dhe të ulet për të kapur një lodër. Veçanërisht gjatë kohës së ndërrimit të pelenave, ju mund të qeraseni me një performancë gjimnastike të rrotullimeve dhe përdredhjeve.

Foshnja juaj mund të fillojë të ngrihet vetë në këmbë dhe të qëndrojë, dhe t’i bëjë edhe hapat e parë duke u mbështetur në krevat. Nga këtu, ai/ajo lëshohet duke rënë... në pozitë të ulur. Në këtë moshë bebja madje mund t’i bëjë edhe hapat e parë duke mbajtur dorën tuaj.

Një hap përpara dhe një ngjitje lart! Bebja tash mund të ngjitet edhe shkallëve, por mund ta shohë veten të ngecur pasi nuk di si të zbresë. Ju mund të zgjidhni t’i bllokoni shkallët e shtëpisë, duke zgjedhur t’i lini vetëm disa për praktikë.

Aftësitë e imëta motorike

Kapja me anë të gishtave tash po bëhet edhe më e mirë, por bebja mund të mos jetë ende në gjendje të kapë gjëra me dy gishta (gishtit të madh dhe atij tregues), derisa t’i mbushë një vjet. Ai/ajo bëhet më e mirë në të bërit me shenjë dhe në përdorimet tjera të gishtit tregues (për të shtypur diçka, për të eksploruar objektet ose ndonjë vrimë të vogël).

Bebja po ashtu po zbulon se si duhet t’i fusë objektet më të vogla në një më të madh, që e bën edhe më argëtuese vendosjen e gotave njëra në tjetrën. Prandaj, tash gotat tuaja (të plastikës ose ndonjë materiali të butë) vendosni në dollapin e bebes, jo më në kuzhinë.

Një aftësi e re këtë muaj: Ai/ajo tash mund të bëjë shumë gjëra përnjëherë – mund ta mbajë një lodër në njërën dorë, dhe një tjetër në dorën tjetër.

Përfundim

Derisa tash rritet më ngadalë dhe ndoshta han më pak, dëshira e foshnjës tuaj për të zbuluar sigurisht se nuk është ngadalësuar aspak! Dhe ai/ajo ende e përdor gojën e tij/saj për të eksploruar. Pavarësisht sa e sigurt është shtëpia, gjasat janë më të mëdha që bebja të kapë dhe të përtypë diçka të cilën nuk do të dëshironit ta përtypë. Mësojani “Lojën Aaaaa”. Nxirreni gjuhën tuaj dhe thoni “aaaaa”. Ai/ajo do t’ju imitojë! Meqë e di këtë lojë, ju do të jeni në gjendje ta kontrolloni se çfarë ka në gojën e tij/saj pa e trembur.

 

Këshilla për bebe

Caffetin

Regjistrohu
për buletin