Muaji i nëntë

Muaji i nëntë

Mosha nëntëmuajshe është kohë shumë ngazëlluese. Bebja juaj është shumë aktive, qejfli/e, i/e ngazëllyer për të mësuar, gjithnjë në përqafim dhe i/e pasionuar.

Gjestet, shprehjet dhe mërmëritjet e tij/saj ju tregojnë se jeni personi më i rëndësishëm në jetë për të. Ju do të zbuloni se ai/ajo bëhet gjithnjë e më i/e vetëdijshme për veten, rrethinën, ju vëren nëse ju mungoni, dhe komunikon më shumë me ju. Përveç kësaj, foshnja zhvillon edhe ndjenjën e saj se si bëhen gjërat.

Zhvillimi social dhe emocional

Bebja mund të zemërohet kur ju e leni atë, edhe nëse për një kohë të shkurtër. Derisa mëson se ju vërtet ekzistoni edhe kur jeni jashtë hapësirës së shikimit të saj, foshnja do të dëshirojë t’ju ndjekë juve në çdo kënd, madje edhe në tualet.

Ankthi i ndarjes zakonisht paraqitet pasi foshnja fillon të zvarritet dhe zgjat afërsisht deri në muajin e 18-të. Këto sjellje janë të shëndetshme dhe normale, ai/ajo ndjek dikë të cilit i beson për t’u siguruar se është në rregull të vazhdojë eksplorimin e tij/saj. Kërkimet tregojnë se foshnjat të cilat ndjehen më të sigurta dhe të mbrojtura tash, do të bëhen fëmijë që ju ngjiten prapa më pak në të ardhmen.

Zhvillimi gjuhësor

Muajin e kaluar, menduat se foshnja ka filluar të mërmëritë? Ky muaj sjell shumë më shumë mërmëritje. Foshnja mund ta përdorë një zë të vetëm dhe pret që ju ta kuptoni atë; i vetmi problem është se ky zë i njëjtë mund të përdoret për të thënë shumë gjëra. Babai futet në dhomë dhe bebja thotë “Da-da!” Pastaj në dhomë futet nëna, dhe ai/ajo sërish bën “Da-da”. Ideja është aty, foshnja e di se gjërat kanë emërtime – vetëm se ende nuk ka arritur ta përsosë këtë. Së shpejti secili prind do të ketë emrin e tij të veçantë.

Derisa fjalori dhe të kuptuarit e bebes shtohen, ai/ajo mund të luajë në mënyra më të ndryshme. “A do t’ia japish mamit lugën?” Nëse ju e zgjatni dorën, ai/ajo do t’jua japë. Falënderojeni dhe brohoritni “bravo”. Pastaj jepjani sërish. Shumë shpejt më pas kërkojani prapë. Bebja është e ngazëllyer t’u ndihmojë juve.

Nëse tashmë nuk e keni bërë, gjeni kohë për ta dalluar (pse jo edhe duke e shënuar) gjuhën e veçantë të zërave dhe gjesteve të bebes. Cilat zëra i shoqërojnë krahët e saj të ngritur kur dëshiron ta mbani në duar? A shpërthen nga ngazëllimi kur babai futet në dhomë për t’i dhënë shenja se është e gatshme të luajë? Si duket kur është e lumtur? Shumë foshnja thonë ba-ba-ba për të shfaqur kënaqësinë. Kur është e pakënaqur, a e përdor tingullin “n” në fjalët e tij/saj, si na-na-na? A bën me shenjë kah gjërat që i interesojnë, duke pritur që ju të komentoni për ato?

Zhvillimi njohës

Konceptet e mëdha që bebja juaj do t’i kapë këtë muaj janë i plotë, i zbrazët dhe madhësia. Lojërat me mbushje dhe zbrazje i ndihmojnë vogëlushit/es të mësojë të tre këto koncepte.

Çfarë është më e mirë për lojëra me mbushje dhe zbrazje se uji! Jepni foshnjës tuaj lodrat e vaskës dhe lejoni të spërkatet, laget dhe ta gjuajë ujin. Bisedoni me të për ujin dhe për lojën e tij/saj. Edhe pse ai/ajo mund të mos jetë në gjendje të thotë fjalë ende, do të fillojë të kuptojë “zbrazët”, “plotë”, “thatë”, “lagët”, “flluskë” dhe “fundosje”.

Bebja tash është në gjendje të mësojë edhe për pjesët e gjërave. Duke përdorur një kukull ose gjësende te tij, tregoni se ku është hunda ose syri. Pyeteni “ku është hunda e bebes time?”. Kur do të lodhet nga loja, luani “fsheh dhe gjej” me lodrat.

Ju do të shihni shenjat kur foshnja planifikon diçka që më herët. Ai/ajo do t’i shkojë rrotull tavolinës për t’iu afruar këndit ku është vendosur vazoja me lule. Ai luan me lodra të ndryshme në mënyra të ndryshme – e shkund rraketaken, gris letrat, fut gotën në gojë, shtyp një buton. Vetëm disa muaj më herët çdo lodër kishte të njëjtin trajtim të kapjes, futjes në gojë dhe përplasjes.

Aftësitë e mëdha motorike

Bebja juaj tash qëndron ulur në mënyrë të qëndrueshme dhe mund të kalojë nga zvarritja në të ulur dhe nga pozita e të qenit ulur të zvarritet. Disa foshnja mund ta mbajnë lodrën në njërën dorë dhe të zvarriten duke përdorur dorën tjetër dhe dy gjunjët. Ai/ajo po ashtu është në gjendje derisa qëndron ulur të bëjë rrotullime pa u rrëzuar.

Arritje të tjera? Bebja juaj mund të jetë në gjendje të ngjitet nëpër shkallë dhe në mobile. Disa të vegjël të guximshëm madje edhe mund të zbresin poshtë nga prapa. Ju kujtohet muaj më parë kur bebja juaj zvarritej së prapmi; kjo tash hyn në përdorim te rasti i zbritjeve nga pozitat e larta.

Aftësitë e vogla motorike

Bebja tash përdor gishtin tregues dhe atë të madh për të kapur gjëra të vogla (që nga grimcat e pluhurit, qimet e deri te thërrimet e ushqimit). Kjo kapje si pincë është e përkryer për të kapur ushqime e buta që ju ia ofroni dhe për t’ua lehtësuar juve detyrën e të ushqyerit.

Muajin e kaluar bebja mësoi si të përplasë lodrat. Këtë muaj përmirësimi do të shkojë më tej, pasi bebja do të mësojë si t’i përplasë dy gjëra së bashku. Jepni atij gjësende që bëjmë zëra të ndryshëm – dru, metal dhe letër. Provojeni me një tavë dhe një enë tjetër dhe një lugë të drurit. Bebes do t’i pëlqejë të prodhojë tinguj të ndryshëm.

Foshnja po ashtu ka mësuar të duartrokasë tash. Kjo i jep mundësi për lojëra të reja me duar.

Përfundim

Jeta është aq ngazëlluese për beben në këtë moshë. Ka aq shumë gjëra për të ekzaminuar; aq shumë sa nuk është e sigurt për të vegjlit. Praktikoni ta largoni beben tuaj nga rreziqet në mënyra miqësore. Për shembull, në vend se t’i thoni “Jo! Mos e shti atë në gojë”, thoni “Ne nuk hamë ushqimet e qenit”, dhe jepni një lojë tjetër për t’ia tërhequr vëmendjen. Humbjani vëmendjen dhe orientojeni kah gjëra të sigurta. Një përfitim tjetër: nëse foshnja juaj nuk e dëgjon fjalën “jo” shpesh, edhe vetë nuk do ta përdorë aq shumë.

 

Këshilla për bebe

Caffetin

Regjistrohu
për buletin