s Java e gjashtë e shtatzënisë - Mjeku.net

Java e gjashtë e shtatzënisë

Java e gjashtë e shtatzënisë

Zhvillimet kryesore të kësaj jave: hunda, goja dhe veshët, të cilët ju do të harxhoni aq shumë kohë duke i puthur pas tetë muajsh, kanë filluar të marrin formë.

Nëse ju do të mund të shihni nëpër mitrën tuaj, ju do të shihni një kokë më të madhe se normalisht dhe njolla të zeza ku fillojnë të formohen sytë dhe vrimat e hundës së foshnjës tuaj. Fillimet e veshëve shoqërohen me vrima të vogla në të dy anët e kokës, dhe krahët dhe këmbët e tij duken si sytha të vegjël.

Zemra e tij rrah rreth 100 deri në 160 herë në minutë – po thuajse dy herë sa e juaja – dhe gjaku fillon të qarkullojë nëpër trupin e tij. Zorrët po zhvillohen dhe fillesa e indit nga e cila do të zhvillohen mushkëritë tashmë është paraqitur. Gjëndra e hipofizës po formohet, siç po formohet edhe pjesa tjetër e trurit, muskujt dhe eshtrat. Për momentin, foshnja juaj është afro gjashtë milimetër e gjatë, afërsisht sa një thjerrëz.

Si ndryshon jeta e nënës?

Ju mund ta shihni veten duke zhvilluar një personalitet të ndryshueshëm – një ditë ndjeheni me humor të keq dhe tjetrën ditë plot harre. Sado e pakëndshme të ketë ky ndryshim emocional, ajo çfarë përjetoni është normale. Emocionet e ndryshueshme shkaktohen pjesërisht nga luhatjet e hormoneve. Por përveç hormoneve, jeta juaj do të ndryshojë në mënyrë të theksuar – dhe kush nuk do të ndjehej emocional për këtë?

Njollosja (njollat e gjakut në brekë ose letrat e tualetit pas urinimit) ose gjakderdhjet janë relativisht të shpeshta në shtatzëninë e hershme, duke prekur deri në një të katërtën e femrave shtatzëna. Kjo mund të ndodhë në një shtatzëni normale, por ndonjëherë kjo mund të jetë edhe shenjë e parë e abortit ose shtatzënisë ektopike (jashtë mitrës). Nëse vëreni njollosje ose gjakosje, kontaktoni mjekun.

Fakte befasuese: A mund të jenë binjakë?

Sigurisht, binjakët rrjedhin nëpër familje dhe ju mund të jeni një prej atyre nëse i jeni nënshtruar trajtimit të fertilitetit, por çdo femër mund të mbetet shtatzënë me më shumë se një foshnjë. A mund të jeni një prej tyre?

Mundësia për të pasur binjakë

- Në përgjithësi rreth një në çdo 31 lindje (më shumë se tre për qind) janë binjakë. Por shanset tuaja për të pasur binjakë janë më të vogla – 1 në 89 – nëse ju mbeteni shtatzënë pa ndihmë mjekësore. Përgjithësisht gjasat për të pasur trinjakë ose më shumë janë një në 565 lindje.

- Binjakët identik zakonisht ndodhin rastësisht. Gjasat për të pasur binjakë identik, ose siç quhen me shkencë monozigotë (kur një vezë ndahet në dy pjesë), janë 1 në 250.

- Një varg faktorësh ndikojnë në mundësinë tuaj për të pasur binjakë ose më shumë. Trajtimi i fertilitetit në mënyrë dramatike rrit gjasat për një mundësi të tillë. Mesatarisht 20 deri në 25 për qind të femrave të cilat konsumojnë barna fertilizuese ose i nënshtrohen fertilizimit in vitro ose teknikave tjera të riprodhimit përfundojnë me më shumë se një foshnjë.

Faktorët tjerë të cilët ndikojnë në gjasat për të pasur binjakë:

- Nëse një herë keni binjakë, ju jeni dy herë më të prirë për të pasur edhe një dyshe në shtatzëninë e ardhshme.

- Binjakët rrjedhin nëpër familje, andaj nëse ju jeni binjakë ose keni lidhje farefisnore me binjakë, jeni më me gjasa të keni edhe ju të njëjtin fat. Historia e partnerit tuaj nuk duket se ndikon në mundësinë për të pasur binjakë.

- Sa më të moshuar që jeni, shanset janë më të mëdha për të pasur në mënyrë natyrale binjakë ose më shumë. Ndryshimet hormonale te femrat e moshuara janë një shkaktar i kësaj.

- Binjakët janë më shpeshtë se mesatarja te afro-amerikanët dhe më pak te hispanikët dhe aziatikët.

- Sa më shumë shtatzëni që keni pasur gjasat tuaja për të pasur binjakë janë më të mëdha.

- Binjakët janë më të shpeshtë te femrat e mëdha dhe të gjata se sa te femrat e shtatvogla.

Kur do të kuptoni se keni binjakë

Këto ditë, femrat zakonisht zbulojnë se kanë më shumë se një foshnjë gjatë kontrollit me ultrazë, shpesh në tremestrin e parë. Nëse zgjidhni ekzaminimin gjenetik në tremestrin e parë, atëherë do ta bëni ultrazërin në mes javës 11 dhe 13-të. Nëse jeni shtatzënë si rezultat i trajtimit të fertilitetit, si mbase do të keni një ultrazë më të hershëm, zakonisht brenda tetë javësh për të llogaritur numrin e embrioneve të janë rrënjosur.

Mjeku juaj po ashtu mund t’ju rekomandojë ultrazë nëse mitra tuaj është më e madhe se sa do të duhej të ishte krahasuar me numrin e javëve që nga periudha juaj e fundit. Ultrazëri është po thuajse një dëshmi e rrejshme në zbulimin e shtatzënisë së shumëfishtë, veçanërisht pas gjashtë deri tetë javësh. Megjithatë, sa më shumë foshnja të mbani në bark, aq më lehtë është që kjo të zbulohet. 

Caffetin

Regjistrohu
për buletin