s Java e 41-të dhe 42-të - Mjeku.net

Java e 41-të dhe 42-të

Java e 41-të dhe 42-të

Nuk është e pazakonshme që foshnjat të vonohen – dhe ju mund të ndjeheni të dorëzuara, edhe pse do të jeni të gjendje t’i duroni dhimbjet e vërteta të lindjes këtë javë ose tjetrën, derisa mjeku ose foshnja të zgjedhë të dalë në botën e vërtetë.

Foshnja juaj

Duket sikur foshnja juaj ka zgjedhur të arrijë me vonesë, që është një rast shumë i shpeshtë. Më pak se pesë për qind të foshnjave lindin në datat e parashikuara – dhe rreth 50 për qind vendosin të qëndrojnë në “Hotel Mitra” (në barkun e nënës), duke shijuar edhe muajin e dhjetë të këtij “pushimi” të tyre. Po ashtu, mbani mend se shumicën e rasteve vonesa e foshnjave nuk është aspak vonesë, por data e lindjes është parashikuar keq. Por foshnja juaj nuk është vetëm duke qeshur brenda jush, duke pritur ditën e tij/saj të madhe. Sistemi endokrin tashmë po bëhet gati të prodhojë hormonet e stresit (nuk jeni vetëm ju që jeni të stresuar), me të cilat hormone foshnja do të mbijetojë pas daljes nga mitra.

Trupi juaj

Ndërkohë, trupi juaj është tashmë i gatshëm për lindje. Askush saktësisht nuk e di se çfarë e nxit lindjen e vërtetë (edhe pse juve sigurisht më shumë ju intereson “kur do të ndodhë”), por besohet se janë një kombinim i faktorëve. Procesi i ndërlikuar fillon me fetusin, truri i të cilit dërgon një mesazh kimik që stimulon një varg reaksionesh të hormoneve te nëna. Lëngu mund të shpërthejë, dhe ju mund të vëreni një mukus ngjyrë trëndafili ose me nuanca të kuqe (pamje gjaku) pak para se të fillojnë mundimet e lindjes. Kontraksionet fillojnë (shenjat e para janë sikur të përziera në bark ose ngërçe të forta menstruale), pastaj intensifikohen, bëhen vazhdimisht më të shpeshta dhe të dhimbshme, dhe në përgjithësi (por jo gjithmonë) më të rregullta. Kjo shënon fillimin e lindjes!

Këshilla: Qëndroni aktive

Foshnja ju rri gjithmonë në mendje? Është vështirë të mendosh për diçka tjetër kur dita e lindjes po afrohet dhe, veçanërisht kur kalon më se një javë pas saj. Por zgjidhja më e mirë për ta mbajtur mendjen larg foshnjës tuaj që po vjen është të vazhdoni të përgatiteni, të planifikoni gjëra dhe të mundoheni të mos shikoni vetëm në orën dhe datën. Dilni nga shtëpia: bëni një ecje (që madje mund t’ua stimulojë kontraksionet), bëni një manikyr ose një rregullim të flokëve (ju mund të mos keni shans të rregulloheni një kohë të gjatë pasi foshnja të arrijë), shikoni filma, dilni në ndonjë qendër tregtare – mbase mund të gjeni edhe gjëra të reja që do t’ju shërbejnë juve dhe foshnjës së ardhshme. Dalja në drekë me shoqe, darkë me bashkëshortin, blerja e gjësendeve ushqimore, mund të jenë po ashtu në listën tuaj të aktiviteteve. Dhe kur flasim për ushqim, mundohuni të përgatisni gjella dhe ushqime të cilat do t’i depononi në frigorifer. Dhe kërkojuni miqve të mos ju telefonojnë në çdo orë – ju do t’u telefononi atyre kur të vijë koha.

Simptomat e javës 41 dhe 42 të shtatzënisë:

Aktivitet i ngadalësuar fetal: Shumë foshnja ngadalësojnë aktivitetin e tyre në këtë fazë të shtatzënisë, kryesisht sepse ata bëhen shumë të kufizuar në mitër për të lëvizur (ata arrijnë kulmin e madhësisë dhe peshës).

Gjak ose rënie e tapës mukotike: Ju mund të vëreni një rrjedhje mukoze me ngjyrë trëndafili ose kafe në brekët tuaja – ose në tualet. Rrjedhja e këtij mukusi do të thotë se enët e gjakut në qafën e mitrës po shkatërrohen pasi ajo fillon të hapet në përgatitje për lindje (që mund të jetë sot ose disa ditë më vonë).

Dilatim (zgjerim) dhe hollim cervikal: Gjatë ndonjë ekzaminimi të brendshëm, mjeku sigurisht se do t’ju tregojë se sa është hapur dhe sa është holluar cerviksi (qafa e mitrës). Ky zgjerim dhe hollim i cerviksit do të thotë se ai po bëhet gati për të krijuar rrugën për daljen e bebes. Për disa femra, zgjerimi dhe hollimi janë shumë gradual – me javë të tëra – dhe për disa kjo mund të ndodhë brenda natës.

Diarre ose nauze: Diarreja (ose nauzeja – mundimi për vjellje) është një dukuri shumë e shpeshtë para se të shkoni në lindje, meqë muskujt tuaj (përfshirë edhe ato të zorrëve dhe rektumit), lëshohen në përgatitje për lindje.

Presion dhe parehati në pelvik: Pa dyshim se ndjeni rëndesë dhe stres në regjionin e pelvikut (legenit) tash që foshnja juaj ka zbritur poshtë drejt kanalit të lindjes. Për ta lehtësuar presionin në vithe dhe pelvik, përpiquni të relaksoheni duke qëndruar shtrirë me vithet e ngritura lartë.

Lodhje ose energji shtesë: Nëse nuk arrini të gjeni forcë për t’u ngritur nga krevati këto ditë, kjo është e kuptueshme. Mbi të gjitha, pesha e rritur ju mban juve ulur. Në anën tjetër, ju mund të vëreni një shpërthim energjie herë pas here (për shembull, ju mund të ndjeni një nevojë urgjente për ta rregulluar dollapin e bebes tuaj të ardhshme).

Vështirësi në fjetje: Është mundshme që ankthi dhe parehatia ta bëjnë të vështirë për ju të bëni gjumë të rehatshëm. Bisedoni me partnerin tuaj për mundimet dhe shqetësimet dhe kërkoni ndihmën e tij. Krijoni edhe kushte më të mira gjatë natës, për shembull duke përdorur një jastëk shtesë për t’u mbështetur ose duke hapur dritaren për ajrosje.

Kulloshtra: Shumë femra përjetojnë rrjedhje të kulloshtrës nga maja e gjinjve të tyre –
Një lëng i hollë, me ngjyrë të verdhë, që është paraardhës i qumështit të gjirit. Nëse kjo ju pengon ose ju lag, mbani tampona special të gjirit nën sutienën tuaj.

Kontraksione edhe më të shprehura të Braxton Hicks: Në këtë shkallë të shtatzënisë ju sigurisht se do të ndjeni më shpesh kontraksionet e Braxton Hicks, pasi trupi juaj po bëhet gati për lindje. Nëse ato fillojnë të bëhen më të shpeshta dhe më të ashpra, ju mund t’i përjetoni kontraksionet e vërteta të lindjes.

Pëlcitja e membranave: Nëse ndjeni ndonjë pëlcitje, ose edhe rrjedhje të njëtrajtshme, të një lëngu të pastër, pa erë, kjo mund të jetë si pasojë e shpërthimit të qeses amniotike, që lejon lëngun amniotik të rrjedhë. Bëjani me dije mjekut tuaj, dhe ndiqni instruksionet e lindjes, pasi mund të lindni shumë shpejt.