s Java e 40-të e shtatzënisë - Mjeku.net

Java e 40-të e shtatzënisë

Java e 40-të e shtatzënisë

Kjo javë nënkupton edhe fundin zyrtar të shtatzënisë tuaj – edhe pse foshnja juaj mund të mos e dijë se cila javë është kjo. Ajo mund të vazhdojë të qëndrojë rehatshëm aty edhe për disa javë!

Foshnja juaj

Urime! Kjo javë shënon edhe fundin zyrtar të shtatzënisë tuaj. Foshnja juaj mbase peshon nga 3.2 deri në 3.5 kilogramë dhe ka një gjatësi nga 50 deri 55 centimetra (edhe pse ajo mund të ndryshojë nga këto shifra të bebeve mesatare, duke qenë më e vogël ose më e madhe). Kockat në kokën e tij/saj ende nuk janë ngjitur – kjo për shkak se gjatë lindjes këto eshtra të buta do ta bëjnë më të lehtë kokën e tij/saj të dalë përmes vagjinës tuaj. Bebja tash ka mjaft dhjam nën lëkurë për ta ruajtur temperaturën e trupit edhe pasi të del nga mitra (me ca ndihmë nga ato veshje të bukura dhe mbuloja të cilat tashmë sigurisht se ia keni siguruar. Ju (më saktë placenta e tuaj) ende ofrojnë antitrupa të cilat foshnja ka nevojë për të luftuar infeksionet gjatë gjashtë muajve të parë të jetës. Dhe nëse ju planifikoni t’i jepni gji, qumështi i gjirit do t’i ofrojë edhe më shumë antitrupa të cilat do ta forcojnë sistemin e saj/tij imun.

Trupi juaj

Si do ta dijë trupi juaj se është koha për lindje? Rreth gjysma e lindjeve kalojnë javën e 40-të, por ditëlindja e foshnjës tuaj sigurisht do të jetë më së voni brenda dy javësh, pasi mjeku sigurisht nuk do t’ju lejojë të kaloni javën e 42-të. Një ngjarje që nuk do t’ju garantohet para “sulmit” të lindjes është shpërthimi i ujit (çarja e membranës që rrethon foshnjën tuaj dhe e cila mban lëngun amniotik në të cilin foshnja ka jetuar nëntë muajt e kaluar). Pavarësisht asaj çfarë keni parë në filma, vetëm disa femra përjetojnë shpërthim të ujit në publik. Në fakt më shumë se 85 për qind të nënave shtatzëna futen në dhomën e lindjes me membranat e ngjitura në vend. Edhe nëse lëngu do të rrjedhë, më me gjasa do të jetë që ky të jetë një rrjedhje e vogël se sa ndonjë shpërthim i madh.

Këshilla për javën e 40-të: Madhësia e pelvikut

Shumë femra kanë një frikë të pabazë se nuk do të jenë në gjendje ta lindin foshnjën. Kjo duket e pakapshme se si diçka aq e madhe (ose një pjepër tre-katër kilogramë) të dalë përmes një hapësire aq të vogël, por kjo në fakt është ajo që ndodh shumicën e kohës. Nëse jeni më e madhe, e vogël ose çfarëdo madhësie në mes, është madhësia e pelvikut tuaj – jo e juaja – ajo që është e rëndësishme. Dhe shumica e të porsalindurve nuk e kanë problem të dalin përmes vagjinës së nënës së tyre. Dhe, vagjina juaj e di se çfarë duhet të bëjë – ajo tërhiqet në sasi të konsiderueshme gjatë lindjes dhe pastaj shtrëngohet sërish. Madje edhe foshnja juaj e di se çfarë duhet të bëjë – duke e kthyer anash kokën e tij ende elastike për t’iu përshtatur asaj vrime të ngushtë. Andaj mos u shqetësoni. Gjithë çfarë mund të bëni janë ushtrimet e veçanta fizike para shtatzënisë të cilat çlirojnë muskujt dhe e bëjnë më të lehtë lindjen.

Simptomat e javës së 40-të të shtatzënisë:

Kontraksionet Braxton Hicks më të shprehura: Nuk jeni të sigurta nëse kontraksionet të cilat i përjetoni këtë javë janë ato të rrejshme të llojit Braxton Hicks ose janë të vërteta? Nëse ato nuk shtohen në shpeshtësi dhe ashpërsi, ose nëse qetësohen kur ju ecni ose ndryshoni pozitë, atëherë sigurisht janë kontaksine të rrejshme.

Ulje në aktivitetin fetal: Edhe pse lëvizjet e foshnjës janë pakësuar, ju ende duhet t’i ndjeni disa lëvizje. Por do të ketë më pak grushtime dhe shkelmime, dhe më shumë gërvishtje, rrotullime dhe tundje.

Djegësira dhe mostretja: Problemet me aciditetin do të jenë një e kaluar brenda pak ditësh. Ndërkohë, provoni të hani më shpesh dhe më pak, dhe përtypni çamçakëzë pas çdo ushqimi (për të ndihmuar tretjen më të mirë).

Zgjerimi cervikal: Edhe pse ju mund të mos e ndjenim, qafa e mitrës tuaj do të zgjerohet dhe do të bëhet më e hollë në këto javë të fundit. Gjatë vizitës tuaj, mjeku do të jetë në gjendje të shohë sa është hapur ajo dhe nëse ju jeni gati për lindje.

Diarreja dhe nauzea: Këto ditë mund t’ju duket se edhe zorrët tuaja po çmenden, derisa po kalojnë nga njëri ekstrem në tjetrin. Pasi deri tash keni vuajtur nga kapsllëku, këto ditë ju mund të keni diarre dhe të zbrazni zorrët më lehtë se kurrë gjatë shtatzënisë. Kjo mund të jetë shenjë se lindja afrohet, andaj duhet t’i përcillni edhe simptomat tjera të lindjes. Pavarësisht diarresë (jashtëqitjes së hollë) vazhdoni të pini ujë për të shmangur dehidrimin.

Parehatia dhe presioni në legen: Nëse foshnja juaj ka rënë poshtë në legen deri në këtë javë, ajo do ta shtojë presionin në fshikën urinare, vithet dhe legenin tuaj duke shtuar ndjenjën e parehatisë. Nëse keni mundësi caktoni një terapi masazhi te ndonjë profesionist, ose ndoshta partneri juaj tashmë është shndërruar në “profesionist”.

Ngërçet në këmbë: Edhe pse askush nuk e di me saktësi se çfarë i shkakton këto spazma në këmbët tuaja, është për t’u besuar se gjithë ajo mund të shkaktohet nga pesha që tash ka arritur kulmin. Kur keni spazma, masazhet e lehta mund të ndihmojnë. Edhe kalciumi dhe magnez, të cilët mbase i keni konsumuar deri tash, do të vazhdojnë t’ju ndihmojnë në lehtësimin e tyre.

Vështirësi gjatë fjetjes: Në të vërtetë problemet e vërteta me fjetjen ende nuk kanë ardhur. Deri atëherë, për të lehtësuar mundimet të cilat ju mbajnë zgjuar (si ngërçet ose dhimbjet e shpinës), kërkoni nga partneri juaj t’ju bëjë një masazh relaksues.

Lodhja ose energjia shtesë: Ndryshimet në nivelin e energjisë janë shumë të shpeshta këtë javë. Ndoshta jeni të pushtuar nga instinkti prindëror, nevoja për t’u organizuar dhe për t’u bërë gati për foshnjën. Por edhe nëse herë ndjeheni të lodhur e herë të mbushur me energji, nuk ka asgjë jashtë normales këtu. Vetëm se mundohuni të ruani ca energji edhe pasi foshnja të vijë në jetë.

 

Caffetin

Regjistrohu
për buletin