s Java e 38-të e shtatzënisë - Mjeku.net

Java e 38-të e shtatzënisë

Java e 38-të e shtatzënisë

Foshnja juaj është duke prodhuar surfaktant, që i ndihmoj atij/asaj t’i bëjë ato frymëmarrje të para. Në anën tjetër, trupi juaj prodhon kulloshtrën, para-ardhësin e qumështit.

Foshnja juaj

Vogëlushi/shja juaj në bark nuk është edhe aq i/e vogël më, dhe tash peshon rreth 3.2 kilogramë dhe ka gjatësi afro 52 centimetra. Zhvillimi fetal tashmë është po thuajse i kompletuar, derisa foshnja tash mbyll detajet e fundit të formimit, si shtresa e bardhë mbrojtëse (verniksi) dhe qimet e vogla nëpër lëkurë. Ai/ajo po ashtu prodhon më shumë surfaktant, një substancë e cila pengon qeset e ajrit në mushkëri të ngjiten me njëra-tjetrën, kur foshnja të fillojë të marrë frymë. Shumica e ndryshimeve këtë javë janë të vogla, por të rëndësishme. Ai vazhdon të shtojë dhjam në trup dhe rregullon trurin dhe sistemin nervor, ashtu që të mund të përballet me të gjithë stimulimin që e pret sapo të dalë në botën e jashtme.

Trupi juaj

Siç foshnja juaj përgatitet për jetën jashtë mitre, trupi juaj tenton t’i bëjë hapat e vet të fundit para ditës së madhe, një nga të cilat është edhe ndezja e makinerisë së prodhimit të qumështit. Kulloshtra (kolostrumi) është substanca paraprirëse e qumështit të cilën e pinë foshnja për të parën herë. Ajo është e mbushur me antitrupa të cilat mbrojnë të porsalindurin, dhe ka më shumë proteina dhe më pak yndyrë dhe sheqer se qumështi i gjirit që arrin më vonë. Ka gjasa që kulloshtra të rrjedhë vetvetiu, ashtu që ju mund të keni nevojë për gaza të veçanta të gjirit të cilat e thithin atë dhe pengojnë lagien e teshave. Nëse nuk keni rrjedhje por jeni kureshtare të dini për këtë substancë mrekullie, ju mund ta shtypni majën e gjirit për të nxjerrë disa pika.

Këshilla për javën e 38-të: Mbusheni frigoriferin!

Jeni duke ëndërruar si do të duket foshnja juaj e ardhshme, si do ta mbani në duar, si do ta ushqeni? Vazhdoni të ëndërroni, por mos e harroni veten! Të gatuani do të jetë gjëja e fundit që do të mund të mendoni ose bëni gjatë disa javëve të para pas lindjes. Për të shmangur ngrënien e picave dhe hamburgerëve gjatë kësaj kohe, planifikoni dhe përgatituni më herët. Bëni disa gatime dhe depononi në frigoriferin tuaj tash, të cilat më pas vetëm do të mund t’i nxehni dhe t’i konsumoni. Zgjidhni me kujdes jo vetëm çfarë mund të deponohet dhe të qëndrojë gjatë në frigorifer, por edhe çfarë do të ishte e shëndetshme për ju. Gjella të mira për të paketuar do të mund të jenë: supa e shëndetshme, pasuli, gjyveçi, gatesat në tavë, si edhe qoftet. Keni joshje për brumëra? Plotësojeni atë, dhe përgatitni disa simite me krunde (miell të papërpunuar) dhe depononi në një kënd të frigoriferit, për t’i nxehur dhe ngrënë më pas.

Simptomat e javës së 38-të të shtatzënisë

Urinimi i shpeshtë: Nëse shkoni shpesh në tualet këto ditë, kjo është sepse foshnja juaj tashmë ka rënë në legenin tuaj duke shtuar presionin edhe më shumë në fshikën e urinës. Mos i pakësoni lëngjet për të zvogëluar shkuarjet në tualet, pasi ju tash keni nevojë për to më shumë se kurrë më parë. Por provoni të shmangni pijet me kafeinë dhe të tjerat që kanë veti diuretike (shtojnë urinimin).

Sekret i shtuar vaginal: Ju mund të përjetoni edhe më shumë rrjedhje vagjinale tash, dhe madje mund të keni edhe dalje të “tapës” mukotike – një copës mukusi e cila ka mbyllur qafën e mitrës gjatë shtatzënisë tuaj – kjo si pasojë e zgjerimit të qafës. A do të thotë se kjo se lindja është e menjëhershme? Mund të jetë kështu. Por mund të jetë edhe disa ditë, ose javë larg.

Mbetje gjaku: Rrjedhja vaginale po ashtu mund të jetë me nuanca të trëndafilit ose kafe si pasojë e dëmtimit të enëve të gjakut në qafën e mitrës dhe hollimit të saj. Sapo brekët (ose letra e tualetit) të tregojë ngjyrë të skuqur, kjo do thotë se foshnja juaj mund të mijë më herët se që e keni pritur.

Diarreja: Zbrazjet e shpeshta të zorrëve janë një mënyrë natyrale përmes të cilës organizmi juaj krijon më shumë hapësirë për foshnjën, andaj nëse ju keni diarre gjatë kësaj jave, kjo mund të thotë se po i afroheni lindjes. Pini sa më shumë lëngje dhe hani ushqim të pasur me lëngje: supë dhe lëngje të pemëve. Shmangni ushqimet e yndyrshme ose gjithçka që ka shumë fibra.

Të kruara në abdomen: Një mënyrë për të lehtësuar barkun që kruhet? Lyeni me ndonjë vaj ose pomadë të pasur me vitaminë E. Në të vërtetë ju mund të duhet të konsumoni vitaminë E edhe përmes gojës – pasi ajo po ashtu ndihmon edhe për thimthat e pezmatuar, që do të paraqiten së shpejti nëse ju planifikoni t’i jepni gji foshnjës tuaj të ardhshme.

Këmbë të ënjtura: Nëse gjunjët dhe shputat e ënjtura po ju pengojnë të bëni jetë normale, është koha për ca ndihmë – çorape mjekësore. Sigurohuni që pjesa e sipërme e tyre të mos jetë shumë e ngushtë. Vendosni ata në mëngjes para se ënjtja të fillojë. Ato do t’ju ndihmojnë edhe në largimin e venave të cilat mbase janë më të shprehura se kurrë në këmbët tuaja.

Probleme me gjumin: Mendja juaj ka aq shumë punë, sa nuk gjen kohë për të fjetur!? Mos provoni të kërkoni informata ose këshilla në internet për këtë natyrë të problemit. Kjo do t’ju mbajë edhe më shumë zgjuar, kur ju të shkoni në shtat. Aq më keq nëse merrni llaptopin në prehër para fjetjes. Në vend të saj, zgjidhni diçka jo të teknologjisë së lartë – një libër ose revistë – dhe lexoni pak. Kjo do t’ju ndihmojë të flini më shpejt.

Lodhje ose energji shtesë: Ndryshimet e energjisë janë të shpeshta. Ju mund jeni tepër të lodhur ose mund të keni një vrull energji (instinkti i strofullit ose prindëror), pasi ju përpiqeni të organizoni dhe pastroni shtëpinë para se foshnja të vijë. Vazhdoni të pastroni, por mos u harxhoni. Ruajeni ca energji edhe për kohën pasi të vijë foshnja.

Gjinjtë e rritur dhe kulloshtra: Gjoksi juaj mund ët jetë më i madh se kurrë më parë (edhe pse do të bëhet edhe më i madh) dhe tash ndoshta edhe lëshon një lëng që njihet si kulloshtër. Nëse kjo nuk ka ndodhur, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, ajo do të paraqitet ca më vonë.

Kontraksionet e Braxton Hicks: Këto kontraksione të rrejshme mund të bëhen më intensive tash. Kjo është një kohë e mirë për të ushtruar teknikat e frymëmarrjes, të cilat do t’i aplikoni gjatë lindjes. Nëse partneri juaj është në afërsi, diskutoni bashkë se si mund të shkojë lindja.

 

Caffetin

Regjistrohu
për buletin