s Java e 20-të e shtatzënisë - Mjeku.net

Java e 20-të e shtatzënisë

Java e 20-të e shtatzënisë

Është djalë apo vajzë? Ju do të mund ta gjeni përgjigjen ngazëlluese gjatë kësaj jave përmes një kontrolli rutinë me ultrazë!

Foshnja juaj

A jeni kureshtarë ta dini se barku juaj tashmë sa një pjepër mban një djalë apo një vajzë? Tash është koha për ta kuptuar! Ultrazëri në tremestrin e dytë, që mund të caktohet nga java e 18-të deri në të 22-tën, i jep mjekut tuaj një shans për të parë se si shkojnë gjërat në brendi të mitrës. Nëse ju keni një vajzë, mitra e saj tashmë është krejtësisht e formuar dhe vezorët e saj mbajnë rreth shtatë milionë vezë primitive. Nëse keni djalë, testikujt e tij kanë filluar rënien nga abdomeni te destinacioni i tyre i fundit – në skrotum (qeskën e testikujve). Dhe derisa foshnja juaj po bëhet më e madhe (17 centimetra e gjatë dhe rreth 280 gramë në peshë), ka ende hapësirë për t’u rritur aty, që i lejon asaj të rrotullohet dhe kthehet (dhe ju mund t’i ndjeni lëvizjet).

Trupi juaj

Tash që jeni në mes të shtatzënisë (20 javë të kaluara dhe 20 javë që ju presin), ajo gjëja e çmueshme që ju keni në barkun tuaj po bëhet edhe më reale, pasi ju tashmë i ndjeni lëvizjet dhe merrni buzëqeshje nga njerëzit që kalojnë dhe ju shohin fryrjen e barkut. Ju po ashtu mund të vëreni se thinjtë tuaj janë më të fortë (edhe pse më të thatë dhe më të thyeshëm) dhe qimet tuaja (kudo në trup) janë më të trasha dhe të plota se zakonisht – edhe kjo falë hormoneve të shtatzënisë dhe qarkullimit të rritur që i furnizon qelizat e qimeve dhe thonjve me më shumë lëndë ushqyese. Por derisa flokët në kokën tuaj mund të jenë më të bukura se kurrë më parë, kjo gjë është e përkohshme dhe madje situata mund të përkeqësohet pas lindjes.

Këshilla: Apetiti

A jeni në fazën e urisë? Pas disa javësh nauze dhe vjellje të ushqimit, ju tashmë jeni më se të gatshëm ta rikuperoni ushqimin që keni humbur. Por para se filloni të hani gjithë çfarë keni përpara, ju ndoshta duhet të mendoheni. Sistemi i ngrënies shpesh dhe nga pak, të cilin e keni aplikuar në muajt e parë kur keni pasur mundime, sërish është mënyra më e mirë për t’u ushqyer si për ju ashtu edhe për foshnjën tuaj. Jo vetëm që kjo mënyrë e ngrënies ju ndihmon të shmangni problemet me tretjen që janë të pranishme gjatë tremujorit të dytë (si thartira dhe mostretja e mirë e ushqimit, që ju fryjnë dhe ju shkaktojnë gazra), por kjo po ashtu ju siguron që foshnja të marrë kaloritë në mënyrë të vazhdueshme dhe kur ka nevojë më së shumti për to. Studimet kanë treguar se shtatzënat të cilat hanë pesë ose gjashtë ushqime të vogla në ditë janë më të prira të lindin në kohë. Andaj hani kurdo që uria e shtatzënisë ju pushton, por hani nga pak secilën herë.

Simptomat e javës së 20-të

Thartira dhe mostretja: Nëse nuk e keni ditur, ose e keni harruar prej javëve të kaluara, mënyra më e thjeshtë për ta rregulluar aciditetin është të përtypni çamçakëz pa sheqer pas ushqimit. Pështyma e rritur gjatë përtypjes së çamçakëzit neutralizon acidin gastrik dhe ndihmon lëngjet që ngjiten lart të bien sërish në stomak.

Sekreti i rritur vaginal: Derisa shtatzënia juaj kalon, ju do të vëreni një sekret edhe më të rritur vaginal. Derisa kjo mund të jetë e pakëndshme për ju, dijeni që kjo në fakt mbron kanalin e lindjes nga infeksionet dhe ruan një ekuilibër të shëndetshëm të baktereve në vagjinë.

Dhimbja e kokës: Mendoni se kokëdhimbja juaj shtohet kur ju jeni në hapësira të mbyllura, tejnxehura dhe pa dritare, ose nën dritën fluoreshente? Sigurohu të dalësh në ajër të freskët disa herë në ditë, dhe vishu me tesha për të shmangur shumë nxehtin, që mund ta nxisë edhe kokëdhimbjen.

Marramendja dhe ligështimi: Dhomat e mbyllura dhe të nxehta mund të shkaktojë edhe një trullosje të lehtë, veçanërisht kur tashmë trupi juaj gjeneron shumë nxehtë në shtatzëni për të “pjekur” frytin brenda jush. Freskohuni duke dalë shpesh në natyrë për ajër të pastër dhe vishni veshje të përshtatshme.

Ngërçet e këmbëve: Kemi përmendur edhe në muajt e kaluar se ende nuk është e qartë se çfarë i shkakton këto ngërçe muskulore në këmbë, por një prej faktorëve që i bën ato më të shprehura janë edhe enët e kompresuara të gjakut në këmbë (për shkak të peshës dhe fryrjes shtesë). Duke dalë për ecje të lehta, dhe duke pushuar kur ndjeheni shumë të lodhura, ndihmon në pakësimin e ngërçeve. Mos harroni të pini edhe sa më shumë ujë.

Ënjtje e gjunjëve dhe shputave: Nëse uji i mbledhur në gjunjët dhe shputat tuaja ju shkakton dhimbje, sigurohuni të mbani këpucë të përshtatshme kurdo që dilni nga shtëpia dhe mbani pantofla kur rrini në shtëpi. Po ashtu shmangni çorapet e ngushta të cilat mund ta pengojnë qarkullimin e gjakut – ju duhet t’i lejoni lëngjet të qarkullojnë lirshëm për të zvogëluar ënjtjen në ekstremitetet e poshtme.

Kërthiza e dalë jashtë: Kërthiza e cila i ka dhënë hijeshi belit tuaj mund përnjëherë të dalë jashtë vrimës së vet, derisa mitra e shtyn abdomenin përpara. Nëse nuk ju pëlqen pamja e re e kësaj pjese të barkut, mos u shqetëso – kërthiza juaj do të kthehet në vendin e vet pas lindjes.