s Java e 17-të e shtatzënisë - Mjeku.net

Java e 17-të e shtatzënisë

Java e 17-të e shtatzënisë

Foshnja juaj praktikon thithjen dhe përtypjen derisa bëhet gati për gjërat e vërteta: gjirin ose shishen! Sa i takon nënës, ju mund të mënjanoni ca prekje të padëshiruara të belit.

Foshnja juaj

Fëmija juaj i ardhshëm tash është i madh sa një pëllëmbë dore, peshon rreth 140 gramë dhe ka zhvilluar ca yndyrë trupore. Shkalla e rrahjes së zemrës tash rregullohet nga truri i saj dhe shkon nga 140 deri në 150 në minutë – rreth dy herë më shumë se sa rrahjet tuaja të zemrës. Çfarë tjetër? Ajo është duke praktikuar disa aftësi mbijetese për çastin kur të lindë – si thithja dhe gëlltitja.

Trupi juaj

Tash që keni filluar të dukeni si shtatzënë, shanset rriten që shoqëria, bashkëpunëtorët dhe madje edhe të huajt të kërkojnë t’ju prekin belin. Nëse nuk e keni bezdi, kjo është në rregull. Por nëse ju pengon, shpjegojuani atyre me dashamirësi por me vendosmëri. Më shumë zhvillime të reja në trupin tuaj: sekret më i lehtë vaginal dhe një ndjeshmëri më e madhe ndaj alergjenëve, si dhe apetit të shtuar tash që ndjenja e mundimit është larguar (mbase) krejtësisht.

Këshilla: Gërhitja, si ta menaxhoni

Nëse partneri juaj ankohet se nuk po mund të flejë rehat, është koha të veproni. Ky bllokim i rrugëve të frymëmarrjes që shpesh shkakton gërhitjen e theksuar është dukuri e shpeshtë por e përkohshme, që sërish shkaktohet nga hormonet e shtatzënisë. Përpiquni të vendosni një lagështues ajri në dhomën e fjetjes, ose të mbani hapur rrugët nazale me diçka (ndonjë gyp, ngjitës, rrip, edhe pse kjo duket e pakëndshme), ose provoni të flini mbi disa jastëkë për të mbajtur kokën lehtësisht më lart. Dhe nëse partneri juaj sërish ankohet, blini atij mbyllëse për vesh – ose nxirreni nga dhoma juaj; me rëndësi për të dy është që ti të bësh gjumë të mirë gjatë ditëve të shtatzënisë.

Simptomat e javës së 17-të

Apetiti i rritur: A duket sikur nuk ngopeni kurrë? Kjo ndodh sepse foshnja juaj kërkon më shumë ushqyerje. Por gjithmonë jini të kujdesshme dhe hani vetëm kur duhet të hani; përpiquni të zgjidhni ushqimet të cilat ju ngopin më shpejt dhe ju mbajnë të ngopur më gjatë dhe që ju ofrojnë lëndët e nevojshme ushqyese (produkte dhe drithëra të pasura me fibra, dhe sa më shumë proteina)

Thartirë dhe mostretje: Nëse keni ndjenjë djegieje në gjoks (si pasojë e thartirës) pas ushqimit, shmangni qëndrimin shtrirë pasi të hani për të mbajtur lëngjet e lukthit të mos ngjiten lart në ezofag.

Gazrat: Meqë mitra zgjerohet dhe bën presion në rektum, ju mund ta keni vështirë t’i kontrolloni muskujt në atë zonë – që mund të çojë në shpërthime të gazrave. Një mënuar për të reduktuar është: të hani ngadalë (duke mos përpirë ajër, që shton gazrat edhe më shumë).

Kokëdhimbja e kohëpaskohshme: Qoftë si pasojë e hormoneve, lodhjes, tensionit ose shkaktarëve tjerë, zakonisht nuk do të ishte problem të merrni paracetamol gjatë shtatzënisë për të qetësuar dhimbjet. Megjithatë konsultohuni me mjekun dhe gjeni një bar të cilin do të mund ta përdornit kurdo që keni dhimbje.

Ligështimi dhe marramendja: Dehidrimi mund të shkaktojë marramendje, andaj kujdesuni që të qëndroni vazhdimisht të hidratuar duke pirë së paku tetë gota ujë në ditë (mundohuni të pini më shumë se sa kur stërviteni).

Dhimbjet e shpinës: Lehtësojeni këtë simptomë të shpeshtë të shtatzënisë duke u siguruar që të keni një karrige të mirë mbështetëse në punë dhe një dyshek të mirë në shtëpi. Përndryshe, vendos një jastëk në karrigen tuaj për të mbajtur shpinën butë dhe drejtë, si dhe vendos një dërrasë nën dyshekun tuaj për ta çuar më lartë atë.

Vijat nëpër trup (stria): Këto njolla shtatzënie janë të trashëgueshme, andaj nëse filloni të keni disa vija në trup, kjo mund të jetë sepse edhe nëna juaj i ka pasur. Por nëse shtoni në peshë në mënyrë të njëtrajtshme (në vend se të shtoni përnjëherë), kjo mund ta bëjë vijëzimin e trupit më të ngadalshëm dhe, si rezultat, më pak ekstrem.