s Java e 15-të e shtatzënisë - Mjeku.net

Java e 15-të e shtatzënisë

Java e 15-të e shtatzënisë

Ju mund të mos e ndjeni atë ende, por foshnja juaj tashmë po shkelmon me këmbët dhe bërrylat e vogël, derisa ju mund të përballeni me probleme të pazakonshme të dhëmbëve.

Foshnja juaj

Në këtë javë, foshnja juaj ka arritur madhësinë e një portokalli. Nga ndryshimet që ka pësuar këtë javë, veshët e foshnjës tash kanë dalë në secilën anë të kokës, dhe sytë e saj kalojnë më në ballë. Plus, fëmija juaj i ardhshëm tash lëviz gishtat e duarve dhe këmbëve dhe bën lëvizje gjallërie në përgatitje për jetën jashtë barkut tuaj.

Trupi juaj

Hormonet e shtatzënisë vazhdojnë të jenë të ashpra me organizmin tuaj, kësaj here me mishin e dhëmbëve duke shkaktuar inflamacion dhe duke u bërë më të prira për të krijuar pllakëza dhe për të strehuar baktere. Përveç tjerash, ju mund të keni hundë vazhdimisht të zëna ose madje edhe gjakderdhje gjatë shtatzënisë, edhe këto të shkaktuara nga vala e madhe e progesteronit në qarkullimin tuaj të gjakut. Por, mos keni frikë, gjithçka do të kalojë.

Këshilla: Shtimi në peshë

Edhe nëse keni shtuar pak peshë gjatë tremestrit të parë, ose keni shtuar më shumë se që është dashur, është koha të shtoni edhe më shumë. Duke filluar nga tremestri i dytë, foshnja juaj po bëhet gjithnjë e më i madh dhe bashkë me të peshë shtoni edhe ju. Kujdesuni të shtoni ngadalë dhe në mënyrë të njëtrajtshme, duke vënë një limit prej gjysmë kilogrami në javë. Por mbani në mend se kjo është një mesatare – që do të thotë se nuk do të thotë se patjetër të shtoni aq çdo javë. Ju mund të shtoni një çerek kilogrami një javë dhe tre çerekë të tjerë javën tjetër, me rëndësi është që brenda një muaji të shtoni rreth dy kilogramë. Nëse mateni në shtëpi, një herë në javë ose dy javë është e mjaftueshme, por mundohuni të mateni në periudha të barabarta gjithmonë dhe në të njëjtat kushte (pa u veshur, menjëherë pasi të zgjoheni). Ose lejoni mjekun tuaj t’ju matë gjatë vizitave mujore.

Simptomat e javës së 15-të

Thartira dhe mostretja: Tash që jeni më të uritura, ju mund të kuptoni se ngrënia e sasive të mëdha të ushqimit brenda një vakti mund t’ju çojë në thartirë në lukth ose mostretje të mirë. Luftoni me problemet gastrointestinale duke ngrënë më shpesh por sasi më të vogla të ushqimeve gjatë gjithë ditës (hani më shumë herë, në vend se të hani tre herë). Kështu ju nuk do ta ngarkoni sistemin digjestiv dhe do të ruani një nivel stabil të sheqerit në gjak.
Gazra: Hormonet relaksim dhe progesteron i relaksojnë muskujt tuaj (përfshirë ato gastrointestinal), duke shkaktuar gazra dhe fryrje në bark. Ju mund ta shmangni këtë pjesërisht duke shmangur ushqimet që shkaktojnë gazra si brokoli, lakër, faluse, dhe ushqime të fërguara.

Fryrja: Hormonet të cilat bëjnë që sistemi juaj gastrointestinal të qetësohet dhe të nxitë gazra, po ashtu çon edhe në fryrje. Zgjidhja: Gjeni kohë për të pushuar dhe për të bërë masazh, pasi tensioni po ashtu mund të shkaktojë përpirje të ajrit, si gjatë ushqimit ashtu edhe gjatë pjesës tjetër të ditës – gjë që shton fryrjen.

Kokëdhimbjet të kohëpaskohshme: Kokëdhimbjet gjatë shtatzënisë mund të shkaktohet nga gjithçka: hormonet, lodhja, stresi. Për të qetësuar dhimbjet, përdorni kompresa të ftohta në ballë ose në pjesën e pasme të qafës dhe qëndroni në një dhomë të errët dhe të qetë.

Ligështimet dhe marramendjet: Nëse nuk mund të gjeni një vend për t’u shtrirë ose për t’u ulur kur ndjeni marramendje, uleni kokën dhe mbështeteni atë në gjunjë, sikur jeni duke provuar këpucët. Kjo do t’ju ndihmojë të parandaloni ligështinë dhe marrjen e mendve.

Zgjerimi i venave: Dëshironi lajme të mira për venat e zgjeruara? Ato nuk do t’ju bëjnë dëm. Plus, prania e tyre është një arsyetim i mirë për t’u çuar dhe për t’i aktivizuar këmbët, meqë lëvizja e tyre ndihmon gjakun të qarkullojë dhe ul presionin në venat e këmbëve tuaja.

Dhimbje në pjesën e poshtme të barkut: Meqë muskujt dhe ligamentet të cilat mbajnë në vend mitrën tuaj shtrëngohen, ju mund të vëreni ca dhimbje në pjesët anësore të belit (që quhet dhimbje e ligamenteve). Kjo është normale – por nëse dhimbjet bëhen të ashpra, njoftoheni mjekun tuaj, i cili mund t’ju përshkruajë ndonjë qetësues të dhimbjeve.