s Java e 11-të e shtatzënisë - Mjeku.net

Java e 11-të e shtatzënisë

Java e 11-të e shtatzënisë

Krijesa e admirueshme dhe ende e pangjyrë brenda jush fillon të duket gjithnjë e më shumë si njeri tash, pasi edhe vetë ju filloni të ndjeheni më njerëzore.

Foshnja juaj

Foshnja juaj tash është rreth tre centimetra e gjatë dhe do të arrijë deri në pesë centimetra kah fundi i kësaj jave. Foshnja ka qenë shumë e ngarkuar këtë javë, duke zhvilluar folikulat e flokëve, thonjtë dhe ovariumet (vezët për nipat dhe mbesat tuaja, nëse bebja është vajzë). Ajo tash ka karakteristika të dallueshme njerëzore, me duar dhe shputa në pjesën e përparme të trupit, veshët që tashmë kanë filluar të marrin formë, dy vrima të hapura të hundës, një gjuhë dhe qiellzë në gojë, dhe thimtha të dukshme në gjoks. Çfarë tjetër më shumë kanë njerëzit? Këto duar dhe shputa kanë gishtat e tyre.

Trupi juaj

Jeni e uritur? Bukur – kjo është një shenjë se mundimet dhe të vjellat e mëngjesit po lehtësohen dhe se apetiti juaj ka filluar të shtohet për t’ju ndihmuar juve ta ushqeni trupin tuaj... dhe foshnjën tuaj. Por mos e teproni vetëm sepse duhet t’i ushqeni dy trupa: Mundohuni të shtoni në peshë në mënyrë efektive duke zgjedhur ushqimet me vlera më të larta gjatë shtatzënisë dhe duke ulur produktet jo të shëndetshme. Dëshironi më shumë taktika të të ushqyerit? Ulni fryrjen e barkut dhe gazrat (e shkaktuara nga progesteroni që ngadalëson tretjen si dhe nga mitra në rritje) duke ngrënë gjithmonë nga pak në vend se të ngopeni një herë e mirë dhe qëndroni larg nga ushqimet që nxisin gazra, si fasulet, ushqimet e fërguara, pijet me gaz dhe ëmbëlsirat.

Emocionet tuaja

Ndjeheni të lodhura? Lodhja dhe plogështia janë normale gjatë shtatzënisë. Kjo sepse ju po drejtoni një fabrikë që po prodhon fëmijë dhe e cila funksionon 24 orë dhe 7 ditë në javë pa pushim, ku ju jeni i vetmi punëtor. Kjo e bën trupin tuaj të punojë shumë më shumë se sa kur nuk keni qenë shtatzënë. Dhe për disa javët e ardhshme nuk është vetëm foshnja ajo të cilën ju e prodhoni. Organizmi krijon edhe placentën, një mbështjellës të veçantë dhe mahnitës, i cili do ta ndihmojë foshnjën tuaj të jetojë derisa ajo të dalë jashtë trupit tuaj. Andaj, ju ndjeheni të lodhur edhe kur nuk bëni gjëra të lodhshme. Energjia juaj duhet të rikthehet sapo placenta të krijohet dhe të vendoset në funksionon dhe sistemi juaj të mësohet me ndryshimet hormonale të shtatzënisë – që përfundon gjatë tremestrit të dytë. Ndërkohë mbajini nivelet e sheqerit lartë duke ngrënë shpesh ushqime të lehta të pasura me karbohidrate dhe proteina (keksë me djathë, fruta arrore dhe fruta të thara). Po ashtu përpiquni së stërviteni ca, pasi kjo mund t’ju japë më shumë energji, dhe mbi të gjitha dëgjoheni organizmin tuaj. Kur organizmi kërkon ju të pushoni, bëjeni këtë dhe shtrihuni për ca kohë.

Simptomat gjatë javës së 11-të të shtatzënisë 

Urinimi i shpeshtë: Për këtë ka faj hormoni i shtatzënisë hCG, që rrit sasinë e qarkullimit të gjakut në zonën e pelvikut dhe veshkave dhe ju bën të urinoni gjithë kohës. Por mos provoni të ndaloni konsumimin e lëngjeve për të zvogëluar shpeshtësinë e urinimit, psai ju dhe foshnja juaj keni nevojë të jeni të hidratuar. Zgjidhja më e mirë është të ulni konsumimin e pijeve me kafeinë, pasi ato ju bëjnë të eliminoni ujin më shpesh nga organizmi.

Ndryshimet në gjinj: Fryrja e gjinjve tuaj mund të jetë një faktor ndezës për partnerin tuaj, por për ju është një faktor ftohës. Paralajmëroni partnerin për gjinjtë shumë të ndjeshëm, ashtu që ai të mund ta dijë se pse juve mund t’ju pëlqejë të qëndroni lartë kur bëni dashuri – ose të bëni përqafime të fuqishme.

Mundimi dhe vjellja: Ende keni mundimet e mëngjesit – në mëngjes, pasdite dhe madje edhe natën? Mos u shqetësoni pasi këto mund të zgjatin vetëm edhe një ose dy javë – shumica e nënave e harrojnë mundimin prej javës 12 deri në të 14-tën.

Pështymë të tepruar: Derisa ekspertët nuk janë krejtësisht të sigurt se kush e shkakton këtë simptomë, shpjegimi më i besueshëm është se kjo shkaktohet nga hormonet e shtatzënisë. Mbajeni gojën sa më të thatë dhe të freskët duke i pastruar dhëmbët më shpesh.

Dëshirat dhe neveritë për ushqime: A e kërkoni ende erën e ushqimi tuaj të preferuar – ose kërkoni mish edhe pse keni qenë vegjetarianë? Lajmi i mirë është se këto preferenca shpërthyese të ushqimeve do të zbuten deri në muajin e katërt.

Fryrje: Si mund të ndjehet beli juaj aq i fryrë kur fetusi ende është vetëm tre centimetra i gjatë? Progesteroni në gjakun tuaj bën që trakti gastrointestinal të relaksohet, që ngadalëson tretjen e ushqimit dhe ju bën juve të ndjeheni të fryrë.

Ligështia dhe marramendja: Trupi juaj nuk prodhon mjaft gjak për të mbuluar sistemin tuaj të gjakut që po zgjerohet, që mund të çojë në marramendje dhe ligështim. Shmangeni këto ndjenja të pakëndshme duke mbajtur nivelin e sheqerit në gjak në nivel përmes ngrënieve të shpeshta dhe të pakta gjatë gjithë ditës – dhe duke mbajtur gjithë kohën afër vetes ushqime të lehta dhe të shëndetshme.