Venat e zgjeruara, si t’i luftoni përmes fitnesit

Venat e zgjeruara, si t’i luftoni përmes fitnesit

Shumë njerëz tashmë i kanë të njohura dobitë e aktivitetit fizik në rënien në peshë dhe shëndetin e zemrës, por shumica nuk e dinë rëndësinë e stërvitjeve në trajtimin e venave të zgjeruara.

Varikoza venoze, siç njihet ndryshe zgjerimi i venave, zhvillohet si rezultat i qarkullimit jo si duhet të gjakut, që shpesh vjen për shkak se muskujt e dobësuar të këmbëve nuk janë në gjendje ta qarkullojnë gjakun si duhet nëpër vena. Kjo është një problem shumë i shpeshtë edhe gjatë shtatzënisë.

Ushtrimet, në veçanti ushtrimet të cilat i forcojnë muskujt e këmbëve, mund të ndihmojnë në parandalimin e varikozës venoze duke forcuar aftësinë e muskujve për t’i ngjeshur venat, dhe për të mbajtur gjakun në qarkullim.

Stërvitjet po ashtu mund të ndihmojnë parandalimin e të ashtuquajturave vena merimangë, të cilat janë zgjerime më të vogla se varikozat, por zhvillohen më afër lëkurës. Derisa këto rrjeta venoze nuk fryhen jashtë siç fryhen varikozat venoze, ato sërish konsiderohen të neveritshme dhe shumë njerëz që i kanë ato janë në ankth për t’i eliminuar.

Stërvitjet mund të ndihmojnë

Stërvitjet fizike mund të ndihmojnë shumë për venat e zgjeruara, edhe pse nuk janë kurimi i plotë. Dhe, shpesh pasi ju filloni të stërviteni do të duhet kohë për të parë dallimin në dukjen e tyre.

Kur ju filloni stërvitjet, është e rëndësishme të fokusoheni për të kryer lëvizjet e duhura. Aplikimi i presionit në muskujt të gabuar gjatë një stërvitjeje, mund të shkaktojë edhe lëndime dhe t’ju pengojë juve të nxirrni dobitë maksimale nga i gjithë mundi që bëni gjatë fitnesit.

Aktivitetet aerobike si ecja, vrapimi dhe ngasja e biçikletës janë forma të shkëlqyeshme të aktivitetit fizik që ndihmojnë në parandalimin e varikozave venoze dhe venave merimangë. Por ka disa ushtrime që kërkojnë mund më të vogël dhe të cilat po ashtu mund të jenë të dobishme.

Provoni këto ushtrime të thjeshta të këmbëve gjatë stërvitjeve tuaja të ardhshme. Mbani mend se për të nxjerrë rezultate sa më të mira, është e rëndësishme ju të stërviteni çdo ditë.

  • Lëvizjet gërshërë: Përdorni një tepih joga, shtrihuni në shpinë me krahët tuaja të vendosur anash dhe këmbët krejtësisht të zgjatura. Filloni me ngadalë t’i ngrini lartë të dyja këmbët (figura A) dhe derisa i mbani të dy gjunjët drejt, bëni lëvizje gërshërë, duke i çuar njërën lartë dhe tjetrën poshtë deri në zgjerim maksimal (figura B). Mbani kështu për pesë sekonda para se ta përsëritni lëvizjen në kahen e kundërt. Përpiquni t’i bëni këto aktivitete dhjetë herë.

  • Pedalimi: Derisa qëndroni ulur në karrige me shpinën vertikal, ngrini të dyja shputat nga toka dhe filloni të simuloni lëvizjen e biçikletës me këmbët tuaja. Ky është një aktivitet i mirë të cilin mund ta bëni kur jeni të “ngjitur” në karrige gjithë ditën, për të shtuar ca lëvizje rutinës tuaj të rregullt! Bëni lëvizjet e këtij aktiviteti, duke pedaluar për së paku një minutë dhe pastaj përsëriteni kohë pas kohe.

Duke bërë ushtrime të këmbëve çdo ditë, kjo mund t’u ndihmojë të parandaloni varikozën venoze, dhe po ashtu është një mënyrë e mirë për të plotësuar trajtimin tuaj mjekësor, në reduktimin e zgjerimit të venave. /Mjeku.Net/