Dobitë shëndetësore të hekurit dhe pasojat nga mungesa e tij

Dobitë shëndetësore të hekurit dhe pasojat nga mungesa e tij

Hekuri është pjesë mjaft e rëndësishme e ushqimit, pasi që merr pjesë në përbërjen e hemoglobinës dhe ka rol në lidhjen dhe përcjelljen e oksigjenit nga mushkëritë në gjak.

Në indet dhe organet e njeriut, hekuri lidhet me proteina të ndryshme, siç janë kromoproteinat, flavoproteinat dhe grupi i tretë ku bëjnë pjesë transferina dhe feritina.

Hekuri merr pjesë edhe në sintezën e ADN-së, në metabolizmin e katekolaminave dhe shërben si përcjellës i elektroneve në mitokondrie.

Në organizmin e njerëzve të rritur gjenden prej 3 deri në 5 mg hekur. Pjesa më e madhe gjendet në hemoglobinë dhe mioglobinë. Pjesa e tepërt e hekurit në organizëm gjendet si rezervë në formë të feritinës dhe hemosiderinës në mëlçi, shpretkë dhe palcën kockore.

Feritina ka mjaft role në organizëm: pengon grumbullimin e hekurit të lirë; ruan hekurin për sintezën e hemoglobinës dhe ka rol në përthithjen e hekurit nga zorra. Feritina është masë më e mirë për të matur edhe sasinë e hekurit në organizëm.

Burimet natyrore të hekurit

Përmes ushqimit në organizëm futen rreth 10 deri në 30 miligramë hekur në ditë. Burimet më të pasura të hekurit janë këto: mishi, mëlçia, vezët, mishi i pulës, peshku, soja, tërshërë, kungull, bizelja, fiku, etj. Personat e shëndoshë, pa simptoma të mungesës, absorbojnë nga 0.5 deri në 1 mg hekur, ose 5-10%. Tek personat të cilët kanë mungesë të hekurit në orgazmën, absorbohet rreth 30% e hekurit nga ushqimi.

Mungesa e hekurit

Mungesa e hekurit në organizëm mund të jetë si pasojë e rritjes së shtuar të tij (gjakderdhjet kronike, të vogla nga trakti tretës, ulcera, herniet, tumoret e traktit digjestiv, gjakderdhjet menstruale), absorbimi i dobët, rritja e nevojave për hekur (puberteti, shtatzënia) dhe mosmarrja e mjaftueshme me anë të ushqimit.

Shenjat tek njerëzit të cilët kanë mungesë të hekurit shfaqen ngadalë, mundimet fillojnë gjatë ngarkesave, paraqitet mundim, plogështi, frymëmarrje e vështirësuar, rrahje e zemrës, kokëdhembje, përtypje e vështirësuar. Në dukje të parë vërehet një zverdhje e lëkurës dhe mukozës, flokët janë të thata, të thyeshme dhe lehtë bien.

Po thuajse secili person që ka mungesë të hekurit, ka mungesë edhe të vitaminës A, që mund ta përkeqësojë gjendjen anemike.

Shërimi

Shërimi nga pasojat e mungesës së hekurit qëndron në marrjen e preparateve perorale të hekurit ose përmes injeksioneve. Në format e rënda duhet të bëhet edhe transfuzioni i eritrociteve të koncentruara. Sigurisht, më i mirë është shërimi i shkaktarit të anemisë.

Marrja e tepërt

Preparatet e hekurit tek disa njerëz mund të shkaktojnë dhimbje në bark, mundime, vjellje, diarre dhe kapsllëk. Efektet e padëshirueshme në traktin digjestiv mund të zvogëlohen nëse pacienti në fillim të terapisë merr sasi më të vogla të hekurit. Shërimi me sasi të vogla të hekurit duhet të zgjatë së paku 3 deri në 6 muaj. Arsyeja është se duhet të mbushen edhe rezervat e hekurit në organizëm.

Tek personat shumë të ndjeshëm, preferohet marrja e preparateve që përmbajnë hekur së bashku me ushqimin, ose pas ushqimit. /Publukuar me leje nga Telegrafi/