Gazi lotsjellës, si të mbroheni dhe si të veproni pas ekspozimit

Gazi lotsjellës, si të mbroheni dhe si të veproni pas ekspozimit

Gazi lotsjellës shkakton një varg simptomash të mundimshme, të cilat zakonisht largohen shpejt. Mjeku.Net në vazhdim ju sjell një artikull që shpjegon edhe mënyrën se si mund të mbroheni nëse ekspozoheni ndaj tij, dhe si mund të veproni pas ekspozimit.

Gazi lotsjellës zakonisht përdoret për të kontrolluar protestat, shpërndarë turmat dhe për të mposhtur individët. Gazi ka për qëllim të shkaktojë vuajtje, andaj ekspozimi ndaj tij nuk është aspak i këndshëm. Efektet e gazit lotsjellës zakonisht janë të përkohshme. Shumica e simptomave kalojnë brenda disa orëve pas ekspozimit.

Ky artikull ju ndihmon se si të përgatiteni për një përballje të mundshme me gazin lotsjellës dhe ju ofron disa këshilla se si të reagoni nëse jeni ekspozuar në të.

Vërejtje: Ndalohet kopjimi dhe shfrytëzimi i paautorizuar i teksteve të publikuara në portalin Mjeku.Net. Të gjithë personat dhe mediat të cilët shfrytëzojnë pa leje të shkruar cilido artikull të publikuar në Mjeku.Net do të ndiqen në baza ligjore.

Simptomat e ekspozimit në gazin lotsjellës

  • Therje dhe djegie në sy, hundë, gojë dhe lëkurë
  • Rrjedhje e shtuar e lotëve
  • Pamje e turbullt
  • Rrjedhje e hundëve
  • Pështymë e tepruar (jargëzim)
  • Indet e ekspozuara mund të zhvillojnë njolla (puçrra) apo djegie kimike
  • Kollë dhe vështirësi në frymëmarrjes, përfshirë ndjenjë të ngufatjes
  • Çorientim dhe konfuzion, që mund të çojë në panik
  • Zemërim i shtuar.

Çorientimi dhe konfuzioni mund të jetë krejtësisht psikologjik. Në disa raste, tretësi që përdoret për ta krijuar gazin lotsjellës mund të çojë në reaksione dhe mund të jetë më toksik se sa agjenti lotsjellës (substanca që i shtohet për të shkaktuar efektet).

Çfarë duhet të bëni në rast kontakti me gazin lotsjellës?

Gazi lotsjellës zakonisht shpërndahet në formë të një granate, e cila futet brenda një arme gazi dhe hidhet në formë të një fisheku. Andaj, ju mund të dëgjoni zë të gjuajtjes me armë kur hidhen fishekët me gaz lotsjellës. Mos supozoni se jeni goditur. Nuk duhet të bëni panik. Shikoni nga vjen kur dëgjoni gjuajtje dhe shmangni qëndrimin në rrugën kah hidhen këto ‘granata’. Granatat me gaz lotsjellës shpesh eksplodojnë në ajër, duke liruar një bocë metalike e cila do ta spërkasë gazin. Kjo bocë do të jetë e nxehtë, andaj kujdes nëse vendosni ta prekni. Mos e merrni në dorë bocën e pashpërthyer, pasi në atë moment ajo mund të shpërthejë dhe të shkaktojë lëndime.

Mbrojtja më e mirë kundër gazit lotsjellës është maska, por nëse nuk keni maskë atëherë ka disa mënyra të tjera të cilat do t’u ndihmojnë të minimizoni dëmet nga gazi lotsjellës. Nëse mendoni se mund të përballeni me gaz lotsjellës, mund të zhytni një shami ose copëz peshqiri (apo pecetë letre) në lëng limoni ose uthull molle dhe ta mbani në një qese plastike.

Ju mund të merrni frymë nëpër këtë qese të acidifikuar për disa minuta, veprim që mund t’u ndihmojë të lehtësinë mundimet dhe t’u japë kohë të mjaftueshme për të përballuar me gazin ose për të arritur të avanconi apo të largoheni më shumë. Syzet po ashtu janë një mjet i mirë për ta pasur me veti. Ju mund të mbani syze notimi që mbërthejnë mirë sytë, nëse nuk keni syze speciale për mbrojtje kimike.

Mos mbani thjerrëza kontakti nëse mendoni se mund të përballeni me gazin lotsjellës. Nëse mbani thjerrëza, menjëherë largoni ato. Ju vetëm do t’i humbi ato, siç të mund të humbni çdo gjë tjetër që nuk mund ta lani. Ju mund të vishni të njëjtat tesha sërish pasi t’i pastroni, por fillimisht pastroni ndaras. Nëse nuk keni syze ose ndonjë maskë, mund të merrni frymë brenda këmishës tuaj, meqë aty ka më pak ajër që qarkullon dhe si rezultat edhe më pak përqendrim të gazit, por kjo mund të bëhet kundërproduktive kur edhe kjo zonë ngopet me gaz.

Ndihma e parë në rastin e kontaktit me gaz lotsjellës

Ndihma e parë për sytë është t’i shpërlani ato sa më shpejt me tretësirë kripe ose ujë derisa therja dhe djegia të qetësohet. Lëkura e ekspozuar duhet të lahet me sapun dhe ujë. Vështirësitë në frymëmarrje mund të mjekohen duke administruar oksigjen dhe në disa raste duke përdorë barnat që përdoren për trajtimin e astmës. Fashat me substancë mund të përdoren në rastet e djegieve. /Mjeku.Net/

Vërejtje: Ndalohet kopjimi dhe shfrytëzimi i paautorizuar i teksteve të publikuara në portalin Mjeku.Net. Të gjithë personat dhe mediat të cilët shfrytëzojnë pa leje të shkruar cilido artikull të publikuar në Mjeku.Net do të ndiqen në baza ligjore.