Sëmundja e Alzheimerit – shtatë të pavërteta që nuk duhet t’i besoni

Sëmundja e Alzheimerit – shtatë të pavërteta që nuk duhet t’i besoni

Sëmundja e Alzheimerit, është një prej sëmundjeve më të frikshme të trurit. Kjo i shkatërron njerëzit duke ua dëmtuar memorien pak nga pak, nuk ka shërim, dhe është një sëmundje e cila nuk ndalon me kalimin e kohës.

Nëpër mediume ju mund të lexoni dhe dëgjoni lloj-lloj tregimesh për shkaktarët, simptomat dhe parandalimin e kësaj sëmundje. Por disa prej tyre nuk i shpjegojnë gjërat në mënyrë të plotë.

Në këtë artikull, Mjeku.Net ka përmbledhur shtatë keqinterpretimet rreth sëmundjes së Alzheimerit dhe të vërteta prapa tyre.

1. Mit: Humbja e kujtesës në një shkallë është normale.

E vërtetë është se shumica prej nesh nuk e kemi kujtesën që e kemi pasur në moshë më të re. Por duhet të bëhet dallimi në mes të një mendje të ngarkuar dhe humbjes së vërtetë të memories (kujtesës).

Mjekët thonë se ka raste kur ju keni nevojë për më shumë kohë për t’u kujtuar se ku i keni lërë gjërat ose për të kujtuar emrin e dikujt që e keni njohur. Dhe përderisa ju jeni në gjendje ta bëni këtë, edhe pse me vonesë, kjo nuk është humbje e memories, kjo është plakje.

Por, do të pyesni se kur duhet të shqetësoheni? Përgjigja më e shkurtër është “atëherë kur ndodhin ndryshime në të menduarit”.

Neurologët këshillojnë të drejtoheni te mjeku nëse filloni t’i harroni gjërat e rëndësishme, si emrat e të afërmve ose nëse humbja e memories është e asaj shkalle sa ju nuk mund të kryeni punë të caktuara të lidhura me të menduarit.

2. Mit: Ushtrimet fizike, ushqimi dhe aktivitetet mentale parandalojnë sëmundjen e Alzheimerit.

Edhe pse shumë shkrime në media të popullarizuara kanë ngritur idenë se mënyra e shëndetshme e të jetuarit mund të parandalojë sëmundjen e Alzheimerit, shkencëtarët ende nuk kanë arritur ta dëshmojnë këtë.

Studimet në fakt kanë gjetur se të ngrënit e ushqimit të shëndetshëm, i kombinuar me ushtrime të rregullta aerobike, qëndrimi në një shoqëri aktive dhe angazhimi i trurit me lojëra të ndryshme mendore (fjalëkryqe), kanë rezultuar me mundësi më të pakta për t’u prekur nga Alzheimeri. Studimet po ashtu shpjegojnë se ndryshimi i mënyrës së jetës në favor të vetive të sipërpërmendura, mund të reduktojë edhe përkeqësimin e simptomave për njerëzit të cilët tashmë e kanë sëmundjen.

Por ende nuk është krejtësisht e qartë nëse kjo vlen për secilin person. Po ashtu edhe pse mënyra e shëndetshme të jetuarit lidhet me gjasat më të pakta për t’u prekur nga Alzheimeri, kjo nuk do të thotë se nëse bëni jetë të shëndetshme rrjedhimisht ju me siguri do ta parandaloni sëmundjen në fjalë.

Mund të jetë edhe se njerëzit me veti të shëndetshme jetësore kanë edhe tipare të tjera të cilat ndikojnë në avantazhin e tyre. Me një fjalë, nuk ka dëshmi të mjaftueshme të cilat se mënyra e shëndetshme e jetesës parandalon sëmundjen e Alzheimerit.

Pavarësisht kësaj, mënyra e shëndetshme e të jetuarit mund të ketë vetëm pasoja pozitive, qofshin të vërtetuara ato ose jo, dhe aspak ndikim negativ. Andaj, edhe nuk ndihmojnë në rastin e sëmundjes së Alzheimerit, ato sigurisht se ndihmojnë në parandalimin e çrregullimeve të tjera shëndetësore.

3. Mit: Vetëm të moshuarit preken nga Alzheimeri.

Është e vërtetë se mosha është faktori më i madh i rrezikut për sëmundjen e Alzheimerit: Një në tetë njerëz të moshës mbi 65 vjeçare janë të prekur nga ky shqetësim.

Por ekzistojnë edhe raste kur kjo sëmundje paraqitet edhe më herët se kjo moshë, edhe pse kjo është më e rrallë (rreth 5 deri në 10 për qind). Megjithatë, ekspertët thonë se paraqitja e sëmundjes së Alzheimerit në moshë më të re është fuqishëm e lidhur me faktorët gjenetik (trashëgimi familjare).

4. Mit: Alzheimeri është çrregullim gjenetik.

Ka disa mutacione të gjeneve të cilat lidhen me Alzheimerin, por kjo sëmundje është më shumë se kaq.

Një prej gjeneve që lidhet me sëmundjen e Alzheimerit është gjeni i quajtur APOE, i cili ka disa variacione, një prej të cilave që shkakton sëmundjen në fjalë. Por jo gjithkush që e ka atë version të APOE preket nga Alzheimeri dhe jo çdokush që e ka këtë sëmundje e ka edhe atë version të gjenit. Ka edhe gjene të tjera të cilat lidhen me këtë sëmundje, por shkencëtarët mendojnë se kjo sëmundje nuk është çrregullim gjenetik.

Sipas mjekëve të kësaj fushe, edhe pse ka raste të historive familjare të cilët preken nga sëmundja në të njëjtën moshë, në përgjithësi gjenetika nuk është faktor i madh rreziku për këtë sëmundje.

Shkencëtarët vazhdojnë të hulumtojnë për të gjetur ndërlidhje më bindëse në mes të gjeneve dhe sëmundjes së Alzheimerit. Por një gjë është e sigurt: Nuk ka asgjë gjen të vetëm të Alzheimerit i cili vendos fatin tuaj dhe rreziku më i madh (edhe pse jo i vetëm) i vërtetuar deri tash është mosha.

5. Mit: Depresioni e shkakton Alzheimerin.

Depresioni mund të jetë një shenjë e hershme e sëmundjes Alzheimer, por nuk është dëshmuar se depresioni e shkakton sëmundjen. Depresioni është një sëmundje e shpeshtë, e që në më shumë se një të tretën e rasteve paraqitet te të moshuarit. Por jo gjithkush që është i depresionuar preket nga Alzheimeri. Lidhja e saktë në mes të dy sëmundjeve është ende e paqartë.

Shkalla e depresionit mund të ketë ndikim. Mjekët thonë se depresioni i cili kalon në sëmundjen e Alzheimerit zakonisht është më i lehtë, derisa te njerëzit me depresion (pa sëmundjen e Azlheimerit), ai është më i ashpër. Sipas statistikave, personat me Alzheimer të cilët bëjnë vetëvrasje janë raste shumë të rralla.

6. Mit: Demenca është e njëjtë si sëmundja e Alzheimerit.

Demenca është një term i përgjithshëm që shfrytëzohet për të përshkruar humbjen e memories të shkaktuar nga ndryshimet në tru. Sëmundja e Alzheimerit është forma më e shpeshtë e demencës, por nuk është e vetmja. Ka edhe më se 70 shkaktarë të tjerë të demencës, ku bëjnë pjesë sulmet në tru, sëmundja e Parkinsonit, sëmundja e Pickut dhe demenca e “trupave Lewy”.

Me një fjalë, çdokush që është i prekur nga sëmundja e Alzheimerit ka demencë, por jo çdokush që ka demencë e ka sëmundjen e Alzheimerit.

7. Mit: Medikamentet ndihmëse mbrojnë trurin.

Nuk ka dëshmi të mjaftueshme të cilat tregojnë se përbërës të caktuar mund të parandalojnë sëmundjen e Alzheimerit. Ekspertët thonë se edhe pse suplementët (substancat ndihmëse, vitaminat dhe mineralet) ndihmojnë secilin të bëjë një jetë më të shëndetshme, ata nuk kanë treguar ndonjë ndikim specifik në rastin e sëmundjes së Alzheimerit.

Nga suplementet (shtesat ushqimore) të cilat supozohet se mund të përmirësojnë gjendjen e trurit janë vaji i peshkut, ginko biloba dhe dozat e larta të vitaminave.

Para se të përdorni cilëndo substancë shtesë ose nëse keni çfarëdo problemi me memorien, bisedoni me mjekun tuaj. /Mjeku.Net/