Hygeia

Efektet e vërteta të pirjes së duhani

Efektet e vërteta të pirjes së duhani

Pirja e duhanit na bën keq, këtë e dimë të gjithë! Gjithashtu nga pirja e tij mund të vdesim! Çdo vit në të gjithë botën numri i të vdekurve për shkak të duhanit po rritet me ritme të frikshme. Por efektet e cigareve në trupin e njeriut janë të shumta dhe ato ndikojnë çdo ditë në jetën e duhanpirësit.

Duhani gjatë djegies çliron 4 mijë lëndë, që nga nikotina dhe monoksidi i karbonit dhe deri te katranet, substancat me përbërje benzopireni, kobalti radioaktiv, që janë ndër shkaktarët e kancerit të mushkërive. Në qoftë se do të bëjmë një listë të dëmeve që shkaktohen drejtpërdrejt nga duhani, ato që ndikohen apo rëndohen prej tij, ajo do të jetë tepër e gjatë, por le të përqendrohemi mbi dëmet kryesore.

Heq frymëmarrjen

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 90-95% e tumoreve të mushkërive shkaktohen nga pirja e duhanit dhe cigaret në Itali janë përgjegjës për rreth 30 mijë vdekje në vit nga kanceri në mushkëri. Duke folur po për mushkëritë, pirja e duhanit shkakton bronkit akut afatgjatë, bronkit kronik dhe emfizemë, si dhe incidencën dhe ashpërsinë e episodeve astmatike dhe infeksionet e përsëritura të frymëmarrjes.

Zemra e “çmendur”

Pirja e duhanit është shkaktari kryesor i infarktit dhe i sëmundjeve koronare të zemrës te gratë dhe burrat dhe veçanërisht ajo është e lidhur me 30% të vdekjeve nga sëmundjet koronare të zemrës. Duhani rrit rrezikun e arteriosklerozës dhe të infarktit miokardik, sepse ai favorizon formimin e pllakave dhe formimin e trombeve. Sëmundja koronare arteriale shkaktohet nga monoksidi i karbonit dhe nikotina. Ajo është një nga sëmundjet më të zakonshme në vendet e zhvilluara. Duhanpirësit rrezikojnë të sëmuren dy herë më shumë sesa ata të cilët nuk e pinë atë.

Duhanpirja dhe seksi

Tymi i duhanit është një faktor rreziku shumë i rëndësishëm në mosfunksionimin e organeve gjenitale të meshkujve. Një studim i kryer në Masashuta ka treguar se si pirja e duhanit rrit rrezikun e impotencës, me një incidencë mes 5% dhe 15% më të lartë sesa ajo e joduhanpirësve. Por duhani nuk ka një efekt të dëmshëm vetëm mbi nivelin e enëve të gjakut, por ai ka një rol të drejtpërdrejtë edhe në indet gjenitale të mashkullit.

Më shumë cigare, më të shëmtuar

Edhe nga pikëpamja estetike duhanpirja ka një ndikim negativ mbi trup. Në fakt duhani zvogëlon mbrojtjen imunitare përkundrejt pllakave bakteriale, shkakton një zverdhje të dentinës dhe rrit rrezikun e gingivitit. Përveç këtyre, duhani përshpejton plakjen e lëkurës.

Shtatzënia në rrezik

Të pish duhan gjatë shtatzënisë do të thotë të bësh një krim, sepse kjo gjë mund t’i shkaktojë dëme të përhershme fëmijës tuaj ose në raste të tjera mund t’ju shkaktojë dështim spontan. Një grua shtatzënë e cila pi duhan ka një rrezik më të madh për të lindur fëmijë të vdekur ose të lindë një fëmijë nën peshë. Gjithashtu pirja e duhanit gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë një vonesë në rritjen dhe zhvillimin mendor të fëmijës, si dhe të mushkërive.

Kancer jo vetëm në mushkëri

Pirja e duhanit rrit rrezikun e kancerit të fshikëzës, mëlçisë, laringut, ezofagut, pankreasit dhe gojës. Duhani, përveç këtyre, është një faktor rreziku për zhvillimin e diabetit në kohë të hershme. Kur kombinohet me pirjen e alkoolit ky rrezik shkon 150/1 në raport me popullsinë joduhanpirëse. Duhani, duke kontribuar në vazokonstruksionin (ngushtimin) e enëve të gjakut të stomakut rrit përqindjen për ulcerën e stomakut, ndërkohë që rritet 2,7 herë rrezikun për kancer në stomak. Duhani shkakton shumë sëmundje dhe është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. Njerëzit mundohen ta lënë duhanin, por nuk munden, pasi ata janë mësuar ta konsumojnë shumë atë. Disa njerëz mendojnë se duhani të largon dhimbjen e kokës, por përkundrazi ai e shton akoma më shumë atë, por ne nuk e ndiejmë.

 

Tetë këshilla nga specialistët për ta lënë duhanin

  1. Besoni në vetveten dhe në suksesin tuaj
  2. Lexoni materiale serioze që t’i mësoni dëmet e cigares
  3. Qëndroni larg mjedisit ku pihet duhan
  4. Pranë vetës mos mbani sende që ju kujtojnë cigaren
  5. Rrini me njerëz të cilët ashtu si ju po përpiqen ta lënë cigaren
  6. Qëndroni larg pijes së kafes dhe të çajit të cilët mund t’ju nxitin për të pirë duhan
  7. Kur t’ju lindë dëshira për të pirë cigare shmangeni këtë ndjenjë duke ngrënë ndonjë frutë
  8. Mjaft me duhanin! Lëre atë të shpëtosh. /Gazeta-Shqip.com/